Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me ç’rast, ky i fundit e ka uruar kryekuvendarin për detyrën e re, duke shprehur mbështetjen e Gjermanisë për institucionet e vendit.

Siç është bërë e ditur nga Kuvendi, Rohde ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën në luftën kundër pandemisë, si dhe sigurimin e vaksinave anti-Covid.

Ndërsa, Konjufca e ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen e çmuar që Gjermania ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën, përfshirë projekte të shumta zhvillimore në fusha të ndryshme, si dhe ndihmën në përballje me pandeminë Covid-19.

Kryekuvendari Konjufca dhe ambasadori Rohde kanë biseduar edhe për zhvillimet aktuale politike, duke shprehur përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

“Me këtë rast, ambasadori Rohde i ka dorëzuar z.Konjufca edhe një letër-urim të Presidentit të Bundestagut Gjerman, z.Wolfgang Schäuble, përmes së cilës, veç tjerash, konfirmohet vazhdimi i mbështetjes së Gjermanisë për Kosovën si partnere e besueshme, si dhe gatishmëria e Schäuble për një takim në Berlin me kryekuvendarin Konjufca.​”, është bërë e ditur tutje në komunikatë./21Media