Romani “I humburi” hapet me përshkrimin e ikjes së mijëra shqiptarëve, në mars të vitit 1991, nga Shqipëria. Ikje jo aq nga rreziku i persekutimit policor, ngase regjimi totalitar ishte në shembje e sipër, sa nga vendi ku ishin shtresëzuar pasojat e sundimit të këtij regjimi. Ikje prej gjurmëve dhe shenjave që mund të rikujtonin tmerrin e sundimit totalitar kah një botë imagjinare e bollëkut dhe lumturisë.

Në këtë roman të Kongolit janë fare të rralla fjalët që do të sugjeronin drejtpërsëdrejti kontekstin politik apo natyrën e regjimit politik brenda të cilit çojnë jetën personazhet. Autori arrin të vërë në pah, me mjete letrare, atë që shquan botën e personazheve të tij. Njëri nga këto mjete ka të bëjë me figurat e ndryshme të kafshës dhe lidhjet e tyre me trajtat e vdekjes që shpalosen në roman.

Romani ‘I humburi’ është pasqyrë e qartë dhe tronditëse e shoqërisë autoritare, tiranike, e deri edhe jonjerëzore në Shqipërinë komuniste. Më shumë se një tregim për një shoqëri të caktuar, ky rrëfim ilustron funksionimin e një shoqërie e cila ekzistencën e saj e bazon në frikë dhe bindje, një analizë e tillë vlen për të gjitha kohërat e për të gjitha shoqëritë. Pushteti dhe mekanizmat e tij janë të pranishëm në një formë apo tjetrën, herë më të drejtpërdrejtë, e herë i fshehur nëpërmjet mekanizmave mbrojtës.

Vepra në fjalë kumton rrezikun që i kanoset njeriut nga sisteme të tilla të bazuara në bindje dhe autoritet. Nëpërmjet personazheve autori përshkruan të gjithë mekanizmat e një shoqërie të tillë. Të gjithë personazhet së bashku ndërtojnë mozaikun e tmerrshëm. Secili është në vendin e tij apo saj. Autori me kujdes i zbërthen personazhet dhe na mundëson të njohim në thelb ekzistencën e shoqërive autoritare, të cilat në fjalorin e Karl Popperit mund të kishin edhe elemente tribale-fisnore.

Në shoqëri të tilla, të gjithë kanë vetëm një qëllim-pushtetin, por pushteti është i verbër. Për disa bëhet mjet për të fshehur neurozat dhe për disa bëhet kuptimi i ekzistencës. Ata më të dobëtit, ata që nuk kanë pushtet, shndërrohen në objekt për t’i kënaqur egot dhe për të mbytur ekzistencën e atyre që fshihen pas pushtetit. Të rrallë janë ata që mund t’i bëjnë ballë joshjes së pushtetit.