Ronaldo ia kërkon rreth 20 milionë euro Juventusit

Cristiano Ronaldo i ka kërkuar Juventusit që t’ia paguajë tarifën prej 19.9 milionë euro të rënë dakord fshehurazi gjatë fazave të hershme të pandemisë COVID-19.
Një hetim është hapur për “Bianconerët” pas raportimeve se ata në fshehtësi ranë dakord të paguanin lojtarët e tyre gjatë muajve të parë të pandemisë COVID në vitin 2020, pavarësisht se publikisht deklaruan se pagesat e pagave ishin pezulluar përkohësisht. Këto marrëveshje nuk iu komunikuan federatës italiane të futbollit apo bursës, duke u mbajtur jashtë bilanceve të raportuara.
Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Ronaldo dëshiron që Juventusi t’i paguajë tarifën prej 19.9 milionë euro të rënë dakord në vitin 2020. Ai kishte pranuar publikisht të bënte ulje të pagës, por fshehurazi nënshkroi një marrëveshje me klubin që i garantonte atij 19.9 milionë euro, madje edhe nëse do të largohej nga Torino.
Ylli portugez raportohet se i ka bërë thirrje një ekipi avokatësh që të shqyrtojnë situatën me “Zonjën e Vjetër” dhe të studiojnë bilancet e tyre përpara se të bëjnë kërkesën e tij.
Drejtori sportiv i Juventusit, Federico Cherubini, tashmë ka përllogoritur paratë që i detyroheshin Ronaldos kur foli me ish-presidentin Andrea Agnelli në fund të gushtit të vitit 2021, duke thënë: “19 milionë euro nga viti i kaluar dhe 9 milionë euro nga një vit më parë, pra 28 milionë euro para taksave për shkak të COVID”.

Back to top button