Ministrja Gërvalla tregon për gjendjen shëndetësore të të aksidentuarve në Kroaci

Ministrja e e Punëve të Jashtme dhe Diasporë (MPJD), Donika Gërvalla sot ka bërë të ditur se dy persona të aksidentuar dje në Kroaci ende ndodhen në trajtim intensiv, ndërsa njëri prej tyre është në gjendje stabile.
Ajo ka informuar se vetëm një nga të lënduarit është dërguar për arsye specifike mjekësore në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur në spitalin e qytetit.
“Të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe shumë prej tyre pritet të lirohen nga spitali gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve të mjekëve kroatë, edhe gjendja e pacientit në Zagreb është e mirë dhe stabile.”, ka shkruar Gërvalla në facebook.
Ajo tutje ka informuar se ekipet e institucioneve tona gjatë ditës së djeshme kanë vizituar familjet e atyre që humbën jetën në këtë tragjedi për t’i njoftuar që të afërmit e tyre ndodhen në mesin e viktimave dhe për t’iu përcjellë ngushëllimet dhe mbështetjen e institucioneve të Kosovës
Ministrja ka shtuar se së bashku me Kryeministrin po kthehen në Kosovë, ndërsa, ministrat Sveçla dhe Vitia po vazhdojnë të qëndrojnë në Slavonski Brod “nga ku po kujdesen për të gjitha, edhe për udhëtimin për Kosovë të të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë, dhe këta janë shumica”.
“Sot është ditë zie në Kosovë. Ditë gjatë së cilës lutemi për viktimat e kësaj tragjedie dhe të afërmit dhe të dashurit e tyre. Ditë, e cila na vë edhe më shumë në pah se sa e brishtë është jeta dhe sa i domosdoshëm solidariteti në shoqërinë tonë të rrahur nga sfidat.”, ka shkruar tutje Gërvalla.
Ndryshe, si pasojë e një aksidenti tragjik që ka ndodhur dje në Slavonski Brod të Kroacisë kanë vdekur 10 bashkatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda./21Media 

Back to top button