“Rreth 15.000 vende pune u humbën në vend gjatë kohës së pandemisë së Covid-19”, bëri të ditur sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi duke cituar të dhëna nga Agjencia për Punësim.

Bekteshi nuk beson se kthimi i diasporës e rrit numrin e të papunëve e as deri më tani, siç tha ai, “nuk ka pasur mundësinë të shohë analiza të tilla”.

“Sigurisht, kishte shumë bashkëqytetarë tanë që ishin pjesë e ekonomisë gri dhe në kohën e regjistrimit në Agjencinë për Punësim e shfrytëzuan rastin për të aplikuar dhe tani shkuan për të marrë ndihmë shtetërore ose ndihmë minimale dhe shtesa të garantuara. Por nuk kam parë analiza të tilla që bashkëqytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit po shtojnë numrin e të papunëve. Prej pandemisë në Maqedoninë e Veriut aktualisht ka rreth 15.000 qytetarë të papunë”, tha ministri duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas nënshkrimit të sotëm të Memorandumit të Bashkëpunimit me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, shkruan TV21./21Media