Agjencia e Statistikave të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), sot ka publikuar “Statistikat e Arsimit 2019/2020”, në të cilin theksohet se numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte 237 mijë e 959. Kurse, në arsimin e mesëm të lartë ishte 79 mijë e  264 nxënës.

Numri i përgjithshëm i studentëve në arsimin universitar ishte 73 mijë e  604, prej tyre në universitetet publike ishin 58 mijë e 879 studentë, ose 80.0%.

Sipas ASK-së, ky publikim ofron informata statistikore për parashkollorë, arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, arsimin e mesëm të lartë, arsimin special, si dhe informata statistikore për arsimin universitar për sektorin publik dhe privat.

“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim del se numri i fëmijëve në çerdhe dhe parashkollorë ishte 33 604, prej tyre në sektorin publik 26 385 fëmijë, ose 78.5%; ndërsa, në sektorin privat 7 219 fëmijë, ose 21.5%. Numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ishte 237 959, prej tyre në sektorin publik ishin 232 707, ose 95.6%; ndërsa, në sektorin privat ishin 5 252, ose 1.6%. Numri i nxënësve në arsimin e mesëm të lartë ishte 79 264, prej tyre në sektorin publik ishin 75 784 nxënës, ose 95.6%; ndërsa, në sektorin privat ishin 3 480 nxënës, ose 4.4%. Ndërsa, numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin special ishte 349 nxënës.”, bëri të ditur ASK.