Drejtori i OBSH-së u bëri thirrje politikanëve të ndalojnë politizimin e koronavirusit

Drejtori i OBSH-së u bëri thirrje politikanëve të ndalojnë politizimin e koronavirusit

Derisa gati një milionë e gjysmë milion njerëz janë të infektuar në botë, në Shtetet e Bashkuara numri i të infektuarve ka tejkaluar 400 mijë dhe vetëm në 24 orët e fundit janë konfirmuar 1900 vdekje të reja.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), Tedros Adhanom Gebrejesus u bëri thirrje politikanëve të ndalojnë politizimin e koronavirusit.

Njeriu i parë i OBSH-së e ka mbrojtur veten kundër kritikave nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha se Uashingtoni do të rishikonte fondet për organizatën.

Deri më tani, 1.5 milion njerëz janë konfirmuar me Covid-19 në botë, rreth 89.000 kanë vdekur dhe rreth 332.000 janë shëruar, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Edhe numri i të infektuarve në Japoni po rritet – herën e parë me më shumë se 500 raste në një ditë të vetme.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit për Evropën, Hans Kluge tha se përkundër disa shenjave pozitive në rajon, është shumë herët për të lehtësuar masat për të ndaluar pandeminë.

“Nuk është koha për të lehtësuar masat. Është koha për të dyfishuar dhe trefishuar përpjekjet tona të përbashkëta për të eliminuar (virusin) me mbështetjen e të gjithë shoqërisë.”, tha Kluge, drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, në një konferencë video në Kopenhagë.

Në Kosovë, gjithsej 6 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi dhe gjithsej 224 raste janë konfirmuar deri mbrëmë pas mesnate.