Rrezikoheshin të mbyteshin në det, Policia shpëtoi 3 fëmijë e një të rritur
Katër pushues, 3 prej tyre të mitur që kanë qenë në rrezik për tu mbytur në det në Shqipëri, janë shpëtuar nga policia.
“Gjatë patrullimit të zonës së plazhit, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurtë për pushuesit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar në det, rreth 1.2 milje larg bregut, dy fëmijë të mitur, me komardare, që kishin mbetur në det të hapur dhe nuk ktheheshin dot në breg. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, i kanë kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare dhe i kanë nxjerrë në breg, në gjëndje të mirë shëndetësore, 2 fëmijët (12 dhe 13 vjeç), të cilët ishin larguar në det pa dijeninë e prindërve të tyre.”, ka informuar Policia.
Po ashtu, Policia e Shtetit ka informuar se i ka dalë në ndihmë një burri me djalë nga Kosova, të cilët kanë qenë në rrezik për tu mbytur.
“Gjithashtu, gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin kanë marrë njoftim nga salla operative se dy shtetas kosovarë (babai me djalin e mitur) rrezikonin të mbyteshin në det, pasi ishin larguar me komardare rreth 1 milje larg bregut dhe nuk po ktheheshin dot në breg. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare janë nisur me mjetin e tyre lundrues të Policisë Kufitare, për t’u ardhur në ndihmë dy pushuesve, të cilët i kanë gjetur rreth 1 milje larg bregut, konkretisht shtetasin F. L., 45 vjeç dhe djalin e tij 10 vjeç, dhe i kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare duke i nxjerrë në breg, në gjëndje të mirë shëndetësore.”, ka bërë të ditur Policia.