Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, edhe sot do të vazhdojë protestën për të kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, pas deklaratës së tij lidhur me çështjen e të pagjeturve.

Rogova, për të pestën ditë me radhë, duke filluar nga ora 12:00 do të qëndrojë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në sheshin “Skëndërbeu” të Prishtinës. Mirëpo, kësaj radhe pankartën “Selmanaj ik” do ta mbajë në duar edhe Nesrete Kumnova, Kyetare e Organizatës “Thirrjet e Nënave”. Në fillim ato do të mbajnë 30 minuta heshtje, pastaj në ora 12:30 do të prononcohen për media.

“Kumnova, e cila tashmë për dy dekada thërret për drejtësi për të pagjeturit, do të bashkëngjitet si përkrahje për thirrjen e RrGK-së dhe të qytetarëve që tashmë kanë nënshkruar peticionin online, në thirrjen për shkarkimin e menjëhershëm të Selmanajt.Në letrën që RrGK i ka dërguar kryeministrit Avdullah Hoti më 23 nëntor, kemi përmendur gjerësisht çdo arsye pse deklarimi i Selmanajt është fyerje për qytetarët dhe interesin e tyre.Sot, prania e Kumnovës bart simbolikën e zërit të çdo familjeje të mbi një mijë e 600 personave që ende janë të pagjetur që nga lufta në Kosovë.”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.

Po ashtu bëhet e ditur se kjo protestë do të zhvillohet në përputhje të plotë me rregullat për luftimin e pandemisë COVID-19./21Media