Rritet çmimi i naftës – Hykmete Bajrami kritikon Qeverinë, kërkon ulje të taksave

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me rritjen e çmimit të naftës në Kosovë, duke kritikuar ashpër Qeverinë për mënyrën e menaxhimit të situatës ekonomike.

Ajo ka ngritur shqetësimin për vendosjen e “tavanit” të çmimit të naftës, duke pyetur nëse ai është vendosur në nivel të duhur apo jo, ndërsa ka theksuar se çmimi i karburanteve ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve të importuara.

Sipas Bajramit, Kosova gjatë vitit 2025 ka importuar mbi 7 miliardë euro mallra, çka e bën ekonominë e vendit të ndjeshme ndaj çmimeve ndërkombëtare. Ajo shtoi se Qeveria nuk ka mundësi të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e produkteve të importuara, ashtu siç po vepron aktualisht me naftën.

Deputetja e LDK-së ka kërkuar që Qeveria të ndërmarrë masa urgjente, përfshirë uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 8% dhe përgjysmimin e akcizës, deri në stabilizimin e tregut. Ajo propozoi që këto vendime të dërgohen në Kuvend më 1 prill.

Më tej, Bajrami kritikoi mungesën e koordinimit institucional, duke thënë se Qeveria është dashur të zhvillojë takime me odat ekonomike dhe Shoqatën e Naftarëve për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset përballë inflacionit dhe rritjes së çmimeve të energjisë.

Në fund, ajo akuzoi kryeministrin Albin Kurti për, siç tha, shfrytëzim të situatës ekonomike në prag të zgjedhjeve, duke e cilësuar strategjinë e tij si “varfëro dhe sundo”, dhe kërkoi që qeveria aktuale të kalojë në opozitë.

Postimi i plotë:

Apo e shihni çmimin e naftës?

A po e dini që Mimoza i’a ka qitë tavanin?

Qysh po ju duket ky tavan, poshtë apo lart?

Të nderuar qytetarë,

A e dini se sikur çmimi i naftës për ne në Kosovë janë çmimet e të gjitha produkteve që ne nuk i prodhojmë, por i importojmë.

Kosova në vitin 2025 ka importuar mbi 7 miliardë euro mallëra. Këtyre produkteve qeveria kurrë s’ka me pasë mundësi me ua caktu çmimin aq sa po i’a cakton naftës këto ditë, sepse çmimi i tyre më së paku varet nga autoritetet tona.

Një Qeveri e përgjegjshme duke parë çmimin e naftës ish dashtë me u mbledhë urgjentisht dhe me vendosë me ulë TVSH në karburante nga 18% në 8% dhe ta përgjysmoj akcizën në karburante derisa të normalizohet tregu, këto vendime t’i përcjellë në Kuvend me datë 1 prill.

Tutje duke parë çmimin e energjisë, normën e inflacion 6% dhe tash çmimet e naftës deri tani Kabineti Qeveritar është dashur t’i ketë pasur disa takime me të gjitha odat ekonomike te vendit dhe me Shoqatën e Naftarëve për të ju dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, POR këto takime nuk kanë ndodhë sepse po shkojmë në zgjedhje, keshtuqë Kurti po i fërkon duart, se me këto çmime rriten të hyrat buxhetore, e sa më e madhe kriza për familjet në kohën e zgjedhjeve, aq më të vlefshme bëhen 100-shet e buxhetit për blerje votash.

Strategjia e Kurtit është ‘varfëro e sundo’, andaj Kurti me gjithë strategjinë e tij të dështuar që 6 vite dhe shpurën e tij duhet të dalin në opozitë.

Back to top button