Rritet importi nga Serbia, me Shqipërinë shtohen… marrëveshjet!
Serbia ka shtuar ndjeshëm praninë e prodhimeve të saj në tregun e Kosovës. Në kontrast bashkëpunimi ekonomik me Shqipërinë mbetet në nivel të ulët. Tashmë Kosova nuk e ka Shqipërinë partner kryesor as në eksport. Komuniteti i biznesit thotë se marrëveshjet e nënshkruara Kosovë-Shqipëri nuk implementohen dhe ende ka shumë barriera.
Deri në nëntor, Kosova ka importuar mallra nga Serbia mbi 340 milionë euro. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar bojkotimin e produkteve serbe. Kritikë ndaj ekzekutivit të vendit për rritje të importit të mallrave serbe janë edhe partitë opozitare. Kështu sivjet Serbia prinë në rajon për pushtimin e tregut të Kosovës me mallra me origjinë serbe.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulëzim Rafuna shprehet i mllefosur se barrierat tregtare që janë duke u bërë mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë duke u aplikuar as me Serbinë.
Rafuna, duke kritikuar të dy qeveritë shqiptare, thotë për KosovaPress se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve duhet të intensifikohet më shumë.
“Është e vërtet që prinë Serbia, tani ne kemi përqafuar tregtinë e lirë, mirëpo duhet pasur parasysh që disa produkte që prodhohen në Serbi, nuk prodhohen në Shqipëri. Por, duhet me gjetur mundësinë që ato produkte që prodhohen në Shqipëri dhe Kosovë ne të kemi një marrëdhënie krejt tjetër me Shqipërinë. Prandaj, ju bëj thirrje të dy qeverive që të ulën dhe ta veçojnë marrëdhënien Shqipëri-Kosovë, duke kaluar komplet në një sistem të ri të TVSH-së, pasi që nuk ka arsye që ne ende të mbajmë procedura doganore Kosovë-Shqipëri për prodhimet tona… Të harmonizohen politikat fiskale, kështu që ta bëjmë një treg që do të kishim me qenë më atraktivë edhe për investitorët e huaj dhe ta rrisim shkëmbimin e mallrave Kosovë-Shqipëri. Janë bërë shumë marrëveshje, fatkeqësisht mjaft pak kanë hyrë në fuqi dhe implementohen. Barrierat që janë me Shqipërinë, besoni që nuk janë me Serbinë. Nuk paguan skaner në Serbi, por paguan skaner në Shqipëri. Po ashtu nuk paguan taksë ekstra rrugore për maune në Serbi siç paguhet në Shqipëri. Kështu, më shumë ka barriera me Shqipërinë se sa që ka me Serbinë. Me Serbinë ne më shumë kemi barriera politike se sa administrative. Kështu që duhet me urgjencë për të punuar në eliminimin e tyre”, thekson ai.
Për shkak të këtyre barrierave, Rafuna ngriti edhe një tjetër shqetësim e që ka të bëjë me eksportin e mallrave. Ai tha se Kosova nuk e ka më Shqipërinë partner kryesor për eksport.
“Në eksport, Kosova nuk e ka më partner kryesor Shqipërinë, por e kemi Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave zyrtare, ne më shumë eksportojmë në Maqedoni se sa në Shqipëri. Pse po ndodhë kjo? Për shkak të këtyre barrierave… Çka ne mendojmë se duhet të veprohet me Shqipërinë, është çështja e reciprocitetit, duhet ta kemi një reciprocitet (procedurë për procedurë)”, thotë Rafuna.
Ndërsa, zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Zef Dedaj ka pranuar se krahas vendeve të rajonit, Serbia prinë për eksport të mallrave në drejtim të Kosovës.
Megjithatë, rritjen e importit me Serbinë, Dedaj e ka arsyetuar edhe me ngritjen e çmimeve për mallrat.
“Nga Serbia kemi importuar 310.1 milionë euro, për periudhën janar-shtator 2022… Në vitin 2021 importi nga Serbia ka qenë 246.7 milionë euro. Rrjedhimisht tani ka rritje të importit nga të gjitha shtetet për shkak të rritjes së çmimeve. Pastaj, është Turqia, në këtë periudhë të vitit 2022 është 656.1 milionë, Shqipëria në këtë periudhë të vitit 2022 me 204.8 milionë euro, Greqia 266.6 milionë euro, e kështu me radhë”, thekson Dedaj.
Dedaj ka thënë se fatkeqësisht importi i tërësishëm ende mbetet në nivel të lartë në 4,1 miliardë euro.
“Fatkeqësisht është shumë i lartë dhe rrjedhimisht përbën ende bilanc negativ të lartë tregtarë. Ky trend i referohet edhe inflacionit, rritjes së çmimeve. Megjithatë, ana pozitive e jona është se eksportet po rriten, dhe rrjedhimisht synojmë përmirësimin e bilancit tregtar për mallra”, thekson ai.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se sa i përket importeve, Serbia nga vendi i tretë ka dalë në vendin e parë.
Ish-kryeministri Hoti thekson se këtë vit janë zvogëluar importet nga Shqipëria për 30 për qind dhe janë rritur nga Serbia për 25 për qind.
“Shqipëria ka qenë vendi kryesor në rajon prej nga ne kemi importuar në vitin 2021, në tetor të vitit 2022, sivjet Shqipëria ka rënë në vendin e tretë, janë zvogëluar importet nga Shqipëria për 30 për qind dhe janë rritur nga Serbia për 25 për qind. Serbia ka dal nga vendi i tretë, nga kemi importuar mallra, në vendin e parë”, thotë Hoti.
Deputeti nga PDK, Ferat Shala ngrit shqetësimin e tij se këtë vit, Kosova ka importuar 1 milion e 100 mijë euro në ditë mallra nga Serbia, për çka e kritikon Qeverinë e Kosovës.
“Rreth 1 milion e 100 mijë euro në ditë kemi importe të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe nëse e marrim totalin për 10 të muaj të këtij viti, kemi mbi 310 milionë euro të hyra mallra nga Serbia në Kosovë. Por, nëse e krahasojmë me premtimet elektorale dhe paraelektorale, në pjesën e të bërit opozitë nga Vetëvendosje kur rrokullisshin kamionë e bëhej protestë e grevë edhe në ditë dimri në pikat kufitare, sot si asnjëherë tjetër kjo qeveri ka hapur portat e importit të mallrave të Serbisë në Kosovë. Kështu që, shifrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë për një invazion (pushtim) të skajshëm alarmant të mallrave serbe në Kosovë”, thekson Shala.
Ditë më parë edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, është deklaruar se mënyra më e mirë dhe më paqësore me i dal zot vendit, është duke blerë produkte vendore dhe duke mos blerë asgjë të prodhuar në Serbi, pasiqë ky shtet në vazhdimësi është duke e penguar qarkullimin e mallrave tona përmes Serbisë.
Madje në një komunikatë të kësaj Dhome për media është thënë se reciprociteti i Kosovës është më shumë se i nevojshëm.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) ripërtëriti kërkesën ndaj bizneseve që bëjnë tregti me Serbinë që ta ndërpresin menjëherë bashkëpunimin duke marrë parasysh pretendimet e vazhdueshme dhe në rritje territoriale që Serbia, me përkrahjen e Rusisë, i ka ndaj Republikës së Kosovës, duke vazhduar ta mbajë në Kushtetutën e Serbisë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Raporti i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për nëntor, dëshmon se importi nga Serbia është më i lartë se më 2021. Në muajin nëntor 2022, Kosova ka importuar mallra nga Serbia 31 milionë e 566 mijë euro krahasuar me vitin 2021 që ishte 28 milionë e 467 mijë euro.
Ky raport vërteton po ashtu se importi nga Shqipëria ka shënuar ulje për 6.5 milionë euro. Në nëntor të këtij viti janë importuar mallra në vlerë prej 22 milionë 388 mijë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar importi ishte 28 milionë e 919 mijë euro apo 4.7 për qind më pak./kp