Rritet importi nga Shqipëria, Minxhozi: 30% më shumë se në 2018

“Edhe Kosova ka rritur eksportet në Shqipëri”

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, deklaroi se volumi i shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës është në rritje.

Ai tha se për gjashtëmujorin e parë të këtij viti Shqipëria ka eksportuar 106 milionë euro mallra në Kosovë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritje prej 30%.

Edhe Kosova ka rritur eksportet në Shqipëri me 10% pasi për gjashtë muajt e parë të këtij viti ka eksportuar drejt shtetit amë mallra në vlerë prej 31 milionë euro.

Të dhënat e Dhomës së Tregtisë së Tiranës që deklarojë se për 6 mujorin e parë të vitit 2019 numri i bizneseve shqiptare që kanë eksportuar drejt Kosovës nuk e kalon shifrën e 800 subjekteve tregtare, Minxhozi thotë se është e parëndësishme kur shihet se tendenca e shkëmbimit të mallrave ka tendenca pozitive.

“E thënë në shifra reale Shqipëria ka eksportuar 106 milionë euro mallra dhe Kosova ka eksportuar 31 milionë euro mallra. E krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar del që Shqipëria ka eksportuar 30% më tepër dhe Kosova 10% më tepër. Këto janë të dhëna zyrtare dhe nuk janë të dhëna nga apetite të ndryshme….Unë po marr totalin e volumit të shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës, kjo është më e saktë. Nuk ka rëndësi a janë 800, a janë 700, a janë 600 sepse mund të ketë nga ato për shembull që janë edhe fiktive që nuk kanë bërë një aktivitet në Kosovë para 10 vjetësh dhe sot nuk ekzistojnë në letra quhen organizma ekonomikë që funksionojnë ose e njëjta gjë me ato nga Kosova në Shqipëri, nuk do të hyj në lojën e shifrave të kompanive që janë por do të them që tendenca është në rritje, kjo është shumë e rëndësishme”, deklaroi Minxhozi.

Në lidhje me barrierat ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë, Minxhozi deklaroi se nga viti në vit janë bërë përmirësime, por disa prej tyre ka nevojë për ndërhyrje ligjore dhe t’i nënshtrohen studimeve.

Për pagesën e skanerit, Minxhozi tha se është në shqyrtim mundësia që të hiqet pagesa për mallrat që janë transit në Shqipëri, ndërsa nuk e sheh si shumë shqetësuese taksën e Rrugës së Kombit, pasi sipas tij, varësisht nga shpeshtësia e lëvizjes, kompanitë përfitojnë ulje.

Një tjetër çështje është edhe ajo e certifikatave fitosanitare. Një biznesi nga Kosova i kushton një certifikatë e tillë në Shqipëri 15 euro, por për eksportin e disa artikujve ushqimorë njëherësh kostoja rritet.

Bizneset e Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar që certifikata fitosanitare e Kosovës të njihet edhe në Shqipëri. Por, sipas Minxhozit ato janë reduktuar dukshëm, por po punohet që të zvogëlohet akoma edhe më shumë numri i tyre.

“Nuk është një certifikatë janë disa certifikata. Ka të bëjë me institucionet e ndryshme se të ishte një po e hiqnim, por janë me dhjetëra certifikata dhe nga muaji në muaj një pjesë dërrmuese e tyre vazhdojnë të njihen nga të dy anët tona. Këtu nuk do të sakrifikoj burokracinë që kanë, por duke u rritur volumi, duke u rritur gjithë këto d.m.th dalin si ato kërpudhat. Duhet me gjithë mend që edhe këto të shikohen për t’i zvogëluar. Po të shikojmë ne si kanë qenë para 2 vitesh numri i tyre është reduktuar në mënyrë të dukshme”, deklaroi Minxhozi.

Back to top button