Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj para Komitetit anti-Covid, theksoi se ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të rasteve me Covid-19 dhe se shqetësuese mbetet numri i rasteve spitalore.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë kësaj here në luftën kundër kësaj sëmundje.

“Sot e kemi thirr këtë takim për të diskutuar vendimet e mundshme për menaxhimin e kësaj situate”, tha ai.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani theksoi se në dy javët e fundit ka rritje të numrit të rasteve për 27,6 përqind.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 5500 mostra. Prej të cilat rezultojnë 828 raste pozitive. Me sars cov2 janë identifikuar mbi 80 mijë janë rezultuar pozitivë. Në javën e fundit janë konfirmuar mbi 4000 raste. Grupmosha më e prekur është 30-39 vjeçare”, ka thënë Ramadani.

Ai tha se duhet të vazhdohet të ruhet sistemi shëndetësor. Ai ka bërë apel që punëtorët shëndetësorë të respektojnë masat e rekomanduar nga IKShPK.

Ndërsa, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi theksoi se numri i të shtrirëve në klinika është rritur.

“Kemi një rritje prej 66,6 për qind të shtrirë. Dhe kjo rritje për neve është jashtëzakonisht shqetësuese. Nëse kemi këtë trend, mbase pas muajit mars do të tejkalohen kapacitetet. I bëjmë thirrje komitetit dhe ministrisë që të shtojë kapacitetet. 1/3 e pacientëve deri më tani janë të moshës mbi 50 vjeçare. Potencialisht një pjesë e madhe e tyre kërkojnë shërbim spitalor”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai tha se Kosova gjendet para një situate që Shërbimi Spitalor shumë shpejt nuk do të mund të përballojë rritjen e numrit të rasteve.