Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) si pjesë e Koalicionit Rajonal për Integrimin e Perspektivës Gjinore në Procesin e Anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), dje u është drejtuar liderëve të BE-së me një letër përmes së cilës shpreh pakënaqësi të thellë që në Samitin e Ballkanit Perëndimor (BP) nuk u adresuan çështje të rëndësishme lidhur me pabarazitë gjinore në Ballkan.

Së bashku me këtë koalicion, RrGK ka shprehur shqetësimin se samiti i mbajtur në Zagreb më herët gjatë këtij muaji, nga gjithsej 20 pika, përfundoi me vetëm një referencë të paqartë për barazinë gjinore.

“Po ashtu, diskutimi kryesor në lidhje me Korona virusin nuk ka përfshirë asnjë diskutim në lidhje me rritjen shqetësuese të dhunës me bazë gjinore në rajonin e BP, apo gatishmërinë e këtyre shteteve për ta trajtuar atë. Gjatë këtij samiti nuk u adresuan mënyrat e ndryshme si pandemia ka ndikuar te gratë dhe burrat, si dhe diskutimi mbi reformat që shtetet e BP-së duhet të bëjnë gjatë procesit të anëtarësimit në BE u bë pa përfshirjen e perspektivës gjinore. Sipas koalicionit kjo gjë krijon përshtypjen se BE nuk po ofron vëmendjen e duhur për të adresuar barazinë gjinore si diçka më shumë se thjesht një ‘punë të kryer’. Koalicioni vlerëson se barazia gjinore, si një vlerë jetike e BE-së, duhet të adresohet përmes diskutimeve në samite të tilla, pasiqë kjo kontribuon në përmbushjen e zotimeve të BE-së për avancimin e barazisë gjinore. Ndër të tjerash, në këtë letër u theksua nevoja që BE-ja të ketë të gjitha masat për adresimin e shëndetit, edukimit dhe politikave sociale nga perspektiva gjinore dhe të inkurajojë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor gjatë ndarjes së fondeve të BE-së për menaxhimin e pandemisë”, thuhet në reagim.

Si përfundim, sipas RrGK-së dhe anëtarëve të tjerë të këtij koalicioni, Samiti i BP-së lëshoi mundësinë për përfshirjen e perspektivës gjinore dhe përparimin e barazisë gjinore në këtë rajon.

Duke e parë këtë si një mundësi të humbur, koalicioni përmbylli letrën me një sërë rekomandimesh për të ardhmen për përfaqësuesit e BE-së:

Përfaqësuesit e BE-së të qëndrojnë besnik ndaj zotimeve për përparimin e barazisë gjinore dhe qeveritë, si dhe liderët e Ballkanit Perëndimor të inkurajohen për përparimin e mëtutjeshëm të barazisë gjinore, si vlerë esenciale e BE-së. Gjatë përpjekjeve për anëtarësim në BE dhe për menaxhim të pandemisë duhet të kryhen analiza ex-ante për ndikimin gjinor, të konsultohen mekanizmat për barazi gjinore, ndarja e fondeve të BE-së për rimëkëmbje socio-ekonomike të grupeve më të ndjeshme të bëhet përmes buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, të bëhet vlerësimi i ndikimit gjinor të masave për luftimin e COVID-19 si dhe të zbatohen praktikat më të mira për luftimin e ndikimit socio-ekonomik të kësaj pandemie, duke pasur për bazë perspektivën gjinore.