Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh shqetësim për sulmet e vazhdueshme dhe siç thotë përmes një kumtese, shpifjet ndaj kryeparlamentares së parë në Kosovë, Vjosa Osmanit.

RrGK ka bërë thirrje që të mos cenohet integriteti dhe kontributi i Osmanit në sferën publike.

“Duke përsëritur kërkesën që të ndalen sulmet ndaj grave në politikë dhe vendimmarrje, përmes kësaj letre bëjmë thirrje që të mos cenohet integriteti dhe kontributi i Osmanit në sferën publike. Osmani është figurë publike dhe është e angazhuar në politikë tash e një kohë të gjatë, andaj, puna dhe performanca e saj duhet vlerësuar mbi kritere të jetës publike dhe institucionale, dhe asnjëherë duke u nisur nga një mendësi patriarkale dhe një diskurs që në qendër ka familjen”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

RrGK vlerëson se kundërshtimet politike si dhe mospajtimet institucionale duhet të shprehen pa linqime të tilla ndaj familjarëve të palëve të përfshira.

“Shpifja dhe fyerja, sipas Ligjit nr. 02/L-65 të Republikës së Kosovës cilësohen si vepra penale dhe janë të dënueshme më ligj, andaj me qëllim të ndërtimit të një shoqërie demokratike që promovon lirinë e shprehjes, mirëpo parandalon gjuhën e shpifjes dhe atë të fyerjes, RrGK kërkon që shpifjet ndaj Osmanit të trajtohen përkitazi me ligjin në fuqi. Çdo përpjekje për të zvogëluar kontributin e grave në politikë dhe në sferën publike është vetëm hap prapa në arritjen e synimit tonë të përbashkët për një shoqëri të lirë, demokratike dhe të barabartë”, thuhet në reagim./21Media