Rrugë të zbrazura, shtëpi të boshatisura! Vetëm 15 shtëpi në fshatin Goshincë

Heshtje dhe qetësi në rrugët e fshatit Goshincë të komunës së Likovës. Vështirë të takosh njeri, e aq më pak të rinj.
Ndonëse, janë të hapura është e kotë të trokasësh në dyert e shtëpive. Aty nuk gjendet njeri, sepse ka vite që i kanë braktisur.

“Kjo është njëra nga shumë shtëpitë e pabanuara të fshatit Goshincë, banorët apo familja e kësaj shtëpie është shpërngulur në Austri, për një jetë më të mirë”, raportoi gazetarja Almedina Ismajli.
TV21 vizitoi një nga 15 shtëpitë që kanë ngelur të banuara, aty i priti lokja 90 vjeçare. Alija ishte martuar në moshën 15 vjeçare dhe tregoi se si ka qenë jeta dikur dhe tani.
“Jeta më mirë ka qenë po tani diçka ka ndryshuar puna, me punu s’ka punë, djemtë nuk kanë çfarë të punojnë. Tani ka shumë pak njerëz. Po ku kanë shkuar? Nuk ka, janë pakësuar, kanë shkuar në shtete të largëta, atje bëjnë më shumë para kush ka njerëz atje. E rini a ka? Nuk ka as rini, kanë shku të gjithë larg, pak kanë ngelur”, tha Alije Bilalli, banore e Goshicës.
Kushtet ekonomike, papunësia, infrastruktura, mungesa e një qendre shëndetësore, janë ndër arsyet që kanë detyruar banorët e fshatit e sidomos të rinjtë që të ikin për vite me radhë në shtete të Evropës ose vendet përreth.
“Këtu jetojnë për momentin 15 deri 20 shtëpi, më parë ka qenë më i banuar me diku 100 shtëpi. Ka pasur më tepër nxënës, kanë qenë nga 12-13 nxënës në klasë, tani ka rënë numri nga 4,5,6, punojmë me paralele të kombinuara”, tha arsimtari Qerim Zimberi.
Në hyrje të fshatit kishte një kafiteri. Atë e kishte hapur një banor, i cili ishte shpërngulur në Haraçinë, por ishte rikthyer përsëri në vendlindjen e tij.
“Klasën e tetë e kam kryer këtu, pastaj shkuam në Haraçinë, pas një kohe u ktheva këtu, erdha vetëm për vikend por e pash që më mirë këtu mu duk, edhe fëmijët më thanë, ajri i mirë, vendi i mirë”, tha Bashkim Sinani.
“Këtu jetoj në Goshincë, jam shpërngulur për tre vjet por prap jam rikthyer këtu. Jam kthyer për ta ringjallur fshatin, mos të shpërngulen njerëzit, për ta rujtur bagëtinë këtu. Shumë e ka natyrën e mirë, ujin dhe klimën e mirë, të gjitha të mirat”, tha banori Sokol Sinani.
Rruga që të shpie në fshat është e paasfaltuar, por kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, premtoi se do të përmirësohen kushtet.
“Në dalje të pendës së Gllazhnjës jemi në përfundim e sipër të planit urbanistik, në destinim për zhvillimin e turizmit malor dhe rekreimit, me çka do të iu mundësojmë investitorëve kushte për investim. Gjithashtu rruga lokale nga varrezat e f. Likovë në drejtim të pendës së Gllazhnjës do të asfaltohet në gjatësi prej 3.5 km, në përputhje me të gjitha standardet e nevojshme. Projekt i fituar nga Banka Botërore, i administruar nga Ministria për transport dhe lidhje”, tha kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi.
Përndryshe, fshati Goshincë shtrihet në shpatin e Karadakut të Kumanovës, në zonën kufitare të Maqedonisë dhe Kosovës. Është një ndër fshatrat më të mëdha malore asaj zone, raporton TV21./21Media

Back to top button