RTV21 dënon sulmin ndaj ekipit të tij në veri të Kosovës

Radio Televizioni 21 shpreh shqetësimin e thellë me sulmin dhe shkaktimin e lëndimeve ndaj gazetares Lirie Dibrani dhe kameramanit Berat Bahtiri nga një grup i serbëve në Mitrovicën e veriut.

Ekipi i RTV21 ishte duke kryer detyrën e tij në një mjedis në Mitrovicën e Veriut kur u sulmua nga një grup i huliganëve serbë, pa asnjë shkas dhe përveç lëndimeve atyre iu është shkatërruar pajisja e punës.

RTV21 dënon fuqishëm sulmin ndaj ekipit të tij dhe e cilëson atë si një përpjekje për frikësim si dhe sulm mbi lirinë e medias dhe të fjalës së lirë.

RTV21 kërkon nga organet e sigurisë dhe prania ndërkombëtare në vend që të ofrojnë siguri për gazetarët dhe kameramanët e medias duke mundësuar raportim të papenguar dhe të sigurt për ta. Gjithashtu RTV21 i bën thirrje organeve të ndjekjes që të kapin autorët e sulmit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë./21Media

Back to top button