Viti 2019 ishte shumë i suksesshëm për Klubin e Sigal Prishtinës

Viti 2019 ishte shumë i suksesshëm për Klubin e Sigal Prishtinës

Bardhekaltrit fituan titullin, Kupën dhe Superkupën, si dhe arritën deri në mesin e 16 skuadrave më të mira në FIBA Europe Cup.

Gjithashtu, prishtinasit u shpallën kampionë vjeshtor në Superligën e Kosovës në basketboll. Prishtina nga 16 ndeshje, fitoi 13 fitore dhe pati tri humbje.

Qendra e Sigal Prishtinës, Fisnik Rugova foli për pjesën vjeshtore të kampionatit.

“Stinori vjeshtor ka qenë shumë i vështirë, sepse siç dihet kemi pasur largime të shumta të lojtarëve pas eleminimit nga FIBA Europe Cup. Megjithatë, në kampionat kemi vazhduar me lojëra të mira dhe me plotë meritë jemi në vendin e parë”, tha Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.

Sigal Prishtina e përfundoi stinorin vjeshtor me 29 pikë, dy më shumë se Rahoveci dhe Bashkimi.