Rukiqi kërkon nga Qeveria që të merret me problemet e bizneseve
Kryetari i OEK-ut kërkoi që çështja e problemeve të bizneseve të mos mbetet si ligji i naftës
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka vizituar sot kompaninë Al Petrol, vizitë kjo që po bëhet në kuadër të ciklit të takimeve me bizneset, të cilat i ka nisur që nga zgjedhja si kryetar i Odës.
Duke falënderuar pronarin e kompanisë, Latif Kryeziu si një ndër përkrahësit më të mëdhenj të Odës Ekonomike të Kosovës, Rukiqi tha se aty u diskutuan problemet që lidhen me tërë kompanitë që kanë fuqi punëtore të pakualifikuar, dhe jo vetëm me sektorin e importimit të derivateve me shumicë.
Me këtë rast kryetari i Odës kërkoi nga Qeveria të merret seriozisht me këto probleme dhe të mos mbetet sikur ligji i naftës, që siç tha ai, kurrë nuk ka marrë format përfundimtar. Pronari i AL Petrol Latif Kryeziu tregoi se kryetari i Odës u njoftua me arritjet sistematike të kompanisë, dhe me problemet që has kjo kompani.
Duke treguar për historikun e kompanisë së tij Kryeziu tha se ajo është njëra nga kompanitë më të mëdha në Kosovë për nga numri i të punësuarve dhe njëra ndër tatimpagueset më të rregullta të buxhetit të Kosovës.
Pas zgjedhjes kryetar të Odës, Rukiqi po vazhdon vizitat nëpër bizneset e Kosovës.