Rusët shkatërruan laboratorin e Çernobilit

Trupat ruse që kanë pushtuar termocentralin bërthamor të Çernobilit kanë “plaçkitur dhe shkatërruar” një laborator në atë vend, pretendojnë zyrtarët ukrainas.

Agjencia Shtetërore e Ukrainës për Menaxhimin e Zonës së Përjashtimit tha se rusët kishin dëmtuar laboratorin e tyre qendror – i cili përpunonte shumë mbetje radioaktive.

Agjencia shtetërore informoi në një postim në Facebook se laboratori kishte “mostra shumë aktive dhe mostra radionuklidesh, të cilat sot janë në duart e armikut”.

Laboratori, i cili kushtoi rreth gjashtë milionë euro për t’u ngritur, kishte gjithashtu “pajisje të vlefshme analitike” që nuk ishin të disponueshme diku tjetër në Evropë, tha agjencia, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv

Çernobili – vendi i aksidentit më të keq bërthamor në botë në vitin 1986 – nuk është termocentral që funksionon, por ende kërkon menaxhim të vazhdueshëm.

Rusët e kanë kapur atë në ditët e para të luftës muajin e kaluar dhe kanë mbajtur punëtorë atje për javë të tëra përpara se disa të liroheshin.

Ish lokacioni bërthamor mbetet një shqetësim i madh dhe në fillim të kësaj jave parlamenti i Ukrainës raportoi se zjarret në pyje kishin shpërthyer në afërsi të uzinës, të cilat u kapën nga imazhet satelitore./21Media

Back to top button