Rusia dënon “kërcënimin bërthamor të NATO-s”

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar NATO-n se rrezikon një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë, e cila, sipas tij, do të ishte “katastrofike”.
Ai gjithashtu fajësoi ShBA-në për “ngrirjen” e bisedimeve për kufizimin e armëve bërthamore. Këto bisedime, për Traktatin e Ri START, do të rifillonin të martën e kaluar në Egjipt, por administrata e Biden tha se Rusia vendosi në mënyrë të njëanshme t’i shtyjë ato. Është e vetmja marrëveshje e mbetur për të kufizuar dy arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.
Lavrov tha se “në kontekstin e përpjekjeve të Perëndimit për të frenuar Rusinë, kërcënimi kryesor vjen nga linja e përgjithshme e ShBA-së dhe NATO-s për atë që në realitet është një konfrontim ushtarak me vendin tonë. Natyrisht, ai mbart rrezikun e një përplasje mes fuqive bërthamore me pasoja katastrofike”.
“Me keqardhje raportoj se, për momentin, dialogu strategjik midis Rusisë dhe ShBA-së, të cilat zotërojnë arsenalet më të mëdha bërthamore dhe mbajnë një përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, po mbahet nga Uashingtoni në një gjendje të ngrirë”, ka shtuar ai.
Ai përsëriti kërkesën e Putinit që NATO t’i japë Rusisë “garanci të reja sigurie”.

Back to top button