Rusia i vë veton rezolutës së hartuar nga Shqipëria dhe SHBA për aneksimin e 4 rajoneve ukrainase

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës paraqitën një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila dënonte referendumet e zhvilluara në Ukrainë nga pushtuesit rusë. Por e njëjta u hodh poshtë pasi Rusia vendosi veton.
Përfaqësuesi i Moskës në OKB votoi kundër, ndërsa Kina abstenoi së bashku me Brazilin, Indinë dhe Gabonin. Rezoluta e paraqitur nga SHBA dhe Shqipëria mori 10 vota.
“Rezoluta dënon referendumet e paligjshme. Ajo u bën thirrje të gjitha shteteve të mos njohin ndryshim të territorit të Ukrainës dhe kërkon që Rusia të tërheqë menjëherë trupat nga Ukraina”, u shpreh ambasadorja e SHBA, Linda Thomas Greenfield.
Presidenti rus Vladimir Putin më herët shpalli aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Referendumet janë dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, me vendet evropiane dhe SHBA që thonë se ato nuk do të njihen./kp

Back to top button