Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa ka afat deri nesër të pranojë fajësinë ose të deklarohet i pafajshëm për akuzat e ngritura kundër tij nga Gjykata Speciale.

Siç u njoftua sot nga faqja zyrtare e Dhomës së Secializuar të Kosovës, nëse i akuzuari nuk pranon ta bëjë këtë, gjyqtari i procedurës paraprake do të paraqesë një deklaratë të pafajësisë në emër të tij. Pjesa e dytë e seancës do të shërbejë si një konferencë e dytë e statusit në këtë rast.

Seanca e Salih Mustafës do të mbahet nesër në orën 15:00.

Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, pasi Gjykata Speciale e ka konfirmuar aktakuzën e tij në qershor të këtij viti. Ai akuzohet për ‘ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme’. Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në prill 1999 në fshatin Zllash./21Media