Ish-komandant Cali, Salih Mustafa sot nuk u deklarua rreth akuzave që janë në aktakuzën e ngritur ndaj tij. Ai tha se nuk deklarohet sot rreth kësaj, por pasi që të konsultohet me avokatin.

“Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin”, tha Mustafa.

Në seancën ku është paraqitur ish-shefi i Inteligjencës së FSK-së, Salih Mustafa, e që është procesi i parë i tillë i Gjykatës Speciale, Mustafa u pyet nëse i ka kuptuar akuzat me të cilat rëndohet, dhe ai pohoi.

Gjatë seancës u lexua aktakuza ndaj tij dhe u informua rreth të drejtave të tij. Gjykatësi i procedurës paraprake prezantoi pikat e aktakuzës, me të cilat ngarkohet Salih Mustafa, e që janë katër sosh.

Gjyqtari i procedurës paraprake tha se ka konfirmuar aktakuzën e paraqitur nga Prokurori i Specializuar kundër këtij Mustafës, për katër pika, për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme,

Ai konfirmoi se Mustafa arrestua në Kosovë 24 shtator 2020 dhe në atë moment atij iu dorëzua aktakuza e konfirmuar, u transferua po atë ditë në paraburgim në Hagë.