Saraçini-Kelmendi: Largimi i RTV21 nga objekti u kërkua me nguti nga pushteti

2 min read

Në tetor bëhen katër muaj që kur RTV21, një nga mediumet më të fuqishme në vend, është zhvendosur në objekt të ri në lagjen Pejton, pasi i është kërkuar lirimi i hapësirave në Pallatin e Mediave.

Largimi pas 22 vjetëve, pas investimeve milionëshe e qirasë mijëra euro për çdo muaj, ishte vendim i Agjencisë Kosovare të Privatizimit pas kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, dikaster që drejtohet nga Xhelal Sveçla.

Drejtoresha gjenerale e RTV21, Afërdita Saraçini-Kelmendi, tha se në pamundësi që të zhvendosen në afat rekord prej dy muajsh, ka negociuar me ministrin Sveçla me ç’rast është shtyrë vendimi për lirimin e hapësirës deri në muajin qershor.

“Mirëpo koha në të cilën u kërkua prej nesh me u largu, ishte shumë e papërshtatshme. Ishte koha pas pandemisë, koha kur të gjitha bizneset, qoftë edhe i yni, kishin shënuar humbje të mëdha. Ne sa kishim filluar rikuperimin, u përmblodhëm disi për të vazhduar largimin e gjërave, por duhej edhe investimi në objektin e ri. Në kohën kur kontraktuam punëtorët filloi lufta në Ukrainë, dhe të gjitha çmimet u trefishuan dhe na gjetën të papërgatitur në kuptimin financiar”, rrëfeu Saraçini-Kelmendi në 21 Gradë.

Tutje, Saraçini-Kelmendi theksoi se askund në botë nuk zhvlerësohen investimet 22 vjeçare, por në Kosovë po. Andaj RTV21 është në proces gjyqësor me AKP-në për shkelje të procedurave të likuidimit.

Për largimin e RTV21 nga objekti i Pallatit të Medias foli edhe drejtori i Programit Kulturor, Florin Kelmendi. Ai tha se ky largim ka qenë dëmtim i shumëfishtë.

“Kjo lëvizje e shpejt ka kushtuar rreth 2 milionë euro. Merreni me mend, po të zhvendoseshim ngadal natyrisht se shpenzimet tona do të ishin më të vogla. Mirëpo nëse i afrohesh 2 milionëshit, ato janë investime – para që në një mënyrë nuk është dashur të shpenzohen në shumë aq të madhe. Në anën tjetër shkatërrohet një objekt (Pallati i Mediave) në të cilin po ashtu në një kohë shumë të keqe duhet miliona e miliona të investohen që ato lokale të shndërohen lokale për një ministri”, tha Kelmendi./21Media