Sot nisi mësimi online

Sot nisi mësimi online

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës sot ka deklaruar se punëtorët e arsimit janë dëshmuar edhe në kohë të tjera të liga duke e mbajtur gjallë dritën kundër errësirës. Sipas SBASHK-ut, ata edhe në këto kohë të vështira për Kosovën dhe tërë botën janë të mobilizuar dhe do të jenë, edhe pse nga larg, me nxënësit e prindërit në rrugëtimin drejt dijeve të reja.

“SBASHK në takimin e sotëm ka marrë informacione nga kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve se shumë nga kolegët tanë  ka kohë që kanë nisur komunikimin nga larg me prindër e nxënës dhe duke zhvilluar kështu brenda mundësive njësi mësimore e duke testuar njohuri përmes detyrave. Stafi i SBASHK-ut, kryesia dhe kryetarët e nivelit komunal dhe të Universiteteve çdo ditë do të vazhdojnë me komunikimin dhe takimet nga larg duke analizuar situatën e duke qenë në gatishmëri për punë e përkushtim sipas kërkesave të kohës.”, ka deklaruar SBASHK përmes komunikatës.

Për shkak të situatës me koronavirus, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) prej sot fillon së zbatuari procesin mësimor online për klasën e 1-rë deri në të 5-të, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë prodhimi i materialit për klasën e 6-të deri në të 9-ën, dhe më vonë edhe për gjimnaze dhe shkolla profesionale./21Media