SBASHK-u me një kërkesë për Ministrinë e Arsimit

SBASHK-u me një kërkesë për Ministrinë e Arsimit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës i është drejtuar ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami me një kërkesë për të nxjerrë një vendim që punëtorët e arsimit që kanë arritur moshën mos të pensionohen deri në përfundim të procesit të mësimit nga larg.

“Me qëllim që procesi mësimor që po zhvillohet nga larg të ketë rrjedhë të mbarë Ju drejtohemi me lutjen që Ju e nderura Ministre Bajrami të angazhoheni dhe Qeveria të nxjerrë një vendim që punëtorët e arsimit që kanë arritur moshën mos të pensionohen deri në përfundim të procesit mësimor nga larg, po të vazhdojnë me punën dhe angazhimin me nxënësit e tyre. Këtë lutje e bazojmë në faktin se ata kanë përvetësuar mirë mësimin nga larg dhe janë në komunikim me nxënësit dhe prindërit dhe janë të njohur për njëri-tjetrin. Nëse ata pensionohen do të pengohet procesi mësimor nga larg ngase në këto rrethana të reja procesi i rekrutimit të kuadrove të reja është tepër i vështirë dhe do të humbeshin ditë të tëra në pritje të afateve të konkursit dhe po ashtu do të kishte probleme në organizimin e punës së paneleve të intervistimit me shkrim e me gojë për kandidatët që konkurrojnë.”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e SBASHK-ut.

SBASHK-u ka bërë me dije se është duke vazhduar me angazhimet dhe në bashkëbisedë nga larg me anëtarësinë kudo në Kosovë po përcjell me vëmendje rrjedhën e procesit mësimor nga larg dhe po mbështet e po inkurajon ata që të dëshmohen, si dikur në vitet e okupimit edhe tani në këtë situatë të vështirësuar, në shërbim të arsimit dhe edukimit të brezave./21Media