Kërcënon me grevë

Kërcënon me grevë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë u ka bërë thirrje deputetëve që në seancën e sotme, të thirrur me kërkesë të 45 deputetëve, të diskutojnë për gjendjen në arsim, e jo për kompensimin e orëve.

“Deputetë të nderuar ju sot është më mirë të diskutoni për mungesën e kabineteve të informatikës, kimisë, fizikës e lendeve të tjera, për mungesën e sallave të edukatës fizike, për gjendjen e mjerë të nyjave sanitare , pra për mungesën e kushteve elementare të punës në shumicën e shkollave të Kosovës , mungesa këto që ndikojnë shumë në procesin mësimor e edukativ se sa të merreni me një vendim jo ligjor të Ministrit Bytyqi.”, bëhet e ditur në komunikatë.

SBAShK-ut përmes një komunikate për media insiston që nëse vazhdohet me presion për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës, SBAShK-u do të vazhdojë me grevë.

“Të nderuar deputetë ju informojmë publikisht se nëse vazhdohet me presione ndaj mësimdhënësve për të zëvendësuar orët e humbura gjatë grevës , SBASHK-u duke dëgjuar zërin dhe kërkesën e punëtorëve të arsimit të Kosovës do të shpall grevë si reagim ndaj këtyre presioneve.”, bëhet e ditur më tej.

Sipas SBAShK-ut, kjo seancë e sotme duhet të shërbejë për t’i qortuar ministrin dhe një pjesë të drejtorëve, sepse sipas SBAShK-ut, ata po e pengojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Përkundër faktit që SBAShK-u refuzon të kompensojë orët, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se SBAShK-u ka vetëm një obligim moral, që të deklarohet nëse e përkrah ose jo një vendim të tillë.

Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të shqyrtuar kërkesën e 42 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme.Deputetët nënshkrues kanë kërkuar që Kuvendi të diskutojë mbi situatën e krijuar në arsim pas vendimit të SBASHK-ut për të refuzuar kompensimin e orëve të humbura, përkatësisht së paku 15 njësi mësimore gjatë grevës 3 javore nga 14 janari deri me 1 shkurt 2019./21Media