“SBASHK-u nuk mund të ketë përgjegjësitë e ministrisë së arsimit”

 

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në koordinim me IKSHPK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë ditë më parë mori vendim që të shtyhet hapja e shkollave deri më 14 shtator, në mënyrë që shkollat të përgatiten sipas rekomandimeve nga IKSHPK-ja.

Por as kjo datë nuk është definitive, sepse SBASHK-u kishte deklaruar që mund te ketë shtyrje të fillimit të vitit të ri shkollor.

Lidhur me këtë ka reaguar KMDLNj, duke thënë se SBASHK–u nuk mund të ketë përgjegjësitë e ministrisë së arsimit.

“Tash kur Ministria e Arsimit , në përputhje me rekomandimet e ISHPK ka marrë vendim fillimisht që procesi mësimor të filloi me një shtator e që pastaj ka vendosur , për arsye objektive dhe subjektive të shtyjë për 14 ditë, SBASHK–u deklaron se procesi mësimor , nëse SBASHK-u konsideron se nuk janë plotësuar kushtet mund të shtyhet për një kohë tjetër dhe në këtë mënyrë i merr përgjegjësitë që nuk i takojnë por që janë përgjegjësi e MASHT-it sikur që del edhe kundër rekomandimeve të ISHPK –së. SBASHK-u, së paku në bazë të deklarimeve angazhohet për ngritjen e mirëqenies materiale të punëtorëve të arsimit dhe nuk ka asnjë të drejtë të caktojë afate kohore se kur duhet të fillojë apo përfundojë procesi mësimor. Me grevën shantazhuese të SBASHK-ut që e dëmtoi shumë arsimin , me ndërprerjen e procesit arsimor për shkak të pandemisë dhe nëse edhe tani nuk fillon procesi arsimor , lirisht mund të themi se kjo gjeneratë do të jetë e humbur sa i përket arsimimit”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj, thotë se Institucionet arsimore duhet të kujdesen që të zbatohen rekomandimet e ISHPK-së duke garantuar një mjedis të sigurt, si për nxënësit dhe mësimdhënësit në mënyrë që procesi mësimor të fillojë në afatin e caktuar nga MASHT kurse SBASHK-u dhe KMDLNj dhe organizatat tjera nuk duhet as të bëjnë përpjekje të marrin përgjegjësitë që nuk iu takojnë e që në rastin konkret është përgjegjësi ekskluzive e MASHT-it dhe institucioneve shëndetësore për mbrojtjen e shëndetit publik.

Shtetet tjera kanë marrë vendim që t’i hapin institucionet arsimore përkundër faktit që nuk e kanë gjendjen aspak më të mirë se Kosova prandaj sipas KMDLNj-së kështu duhet të veprohet edhe në Kosovë./21Media

Back to top button