Ndërtesa do të ketë pamjen e një anijeje-cisternë nafte të fundosur

Ndërtesa do të ketë pamjen e një anijeje-cisternë nafte të fundosur

Një rrokaqiell i çuditshëm, i cili do të duket si një anije-cisternë e fundosur, së shpejti mund të bëhet ndërtesa më e lartë në Pragë. Kjo ndërtesë njëherësh do të bëhet ndërtesa më e çuditshme në botë.

Planet për ndërtimin e kësaj ndërtese i ka bërë kompania çeke Trigema. Kjo strukturë do të arrijë lartësinë deri në 137.16 metra, dhe ajo do të ndërtohet në një vend historik, shkruan rtv21.tv

Është vlerësuar se ndërtimi i saj do të kushtojë 70 milionë funte angleze.

Me fjalë të tjera, ndërtesa më e çuditshme në botë, në Pragë, do të ndërtohet në vendin historik pranë një pike të trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, ku ndërtesat e larta janë të ndaluara, mirëpo ky rrokaqiell do të ndërtohet në lagje, më saktësisht në rajonin 13-të, në afërsi të stacionit të metrosë, Nove Butovice.

Ndërtesën e çuditshme e ka projektuar arkitekti Tomas Cisar, në bashkëpunim me skulptorin David Cerny.

Tomas në një intervistë për media ka treguar se elementi bazë i ndërtesës është anija, e cila ka një hapësirë publike në pozitë vertikale, dhe nga e cila mund të shihet i gjithë vendi përreth. Sipas tij, ndërtesa do të përbëhet nga një ashensor, i cili shihet nga jashtë, dhe shkallë të cilat çojnë në nivele të lartësisë, me dalje në tarraca, të cilat do të shfrytëzohen si galeri e kopshte.

Ai ka thënë se kjo strukturë nuk do të pengojë vijën në horizont në këtë vend të trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.

Ndërsa Cerny mendon se anija e fundosur është një lloj transferimi i skulpturës në arkitekturë, dhe kjo është interesante, edhe pse e vështirë të implementimet. Sipas tij, skulptura dhe arkitektura janë koncepte të ndryshme, por në raste specifike, pse të mos e realizojnë një projekt të tillë.

Në anën tjetër, Tomas vlerëson se ndërtimi i kësaj ndërtese do të fillojë në fillim të vitit 2021, ndërkaq beson se ajo do të përfundohet për tri vjet./21Media