Ka filluar seanca për Epopenë e UÇK-së

Ka filluar seanca për Epopenë e UÇK-së

Kuvendi i Kosovës po mban seancë solemne për shënimin e 21 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca filloi me një minutë heshtje në nderim të sakrificës së familjes Jashari.

Me këtë rast kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Jasharajt u shuan që të ringjallet populli i robëruar.

“Sot ne përkujtojmë sakrificën sublime të dëshmorëve. Përulemi para veprës së Adem Jasharit. Në marsin e 98 një familje u shua që të ngjallet një popull i robëruar. Jasharët e dhanë krejt çka kishin të tyre për ne dhe atë çka është e jona sot.. , kur mbi Kosovën ra muzgu Adem Jashari u zgjua. Prandaj sot të gjithë ne liderë institucionalë, opozitarë siç ishim bashkë për përpjekjet për liri, duhet bashkohemi sot, nesër kurdo për të drejtën tonë sepse ja kemi borxh atdheut. Pas shumë viteve Kosova ka pavarësinë, ka SHBA ka ushtrinë e mandatuar nga ju deputetë, Kosova ka sot më shumë siguri dhe liri për neve. Lavdi e përjetshme”, tha ndër tjerash Haradinaj

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se lufta dhe rënia e Familjes Jashari, e vulosën përcaktimin e popullit tonë për liri.

“Si gjeneratë, jemi të veçantë që patëm fatin të bashkëjetojmë në kohën e kolosëve të kombit tonë, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Luan Haradinaj, Bekim Berisha, Xhevat Jusufi, Agim Ramadani, Avdullah Tahiri, Ahmet Kaçiku, Mujë Krasniqi, e shumë e shumë të tjerë. Dhe, së bashku, si komb, arritëm lirinë.”, tha ndër tjerash Veseli.

Epopeja e UÇK-së kishte filluar më 5, 6 dhe 7 mars ku kishte rënë heroikisht komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij./21Media