Sekretari i Bordit të Agjencisë Kosovare për Privatizim, Arben Limani largoi përgjegjësitë nga vetja për gjitha privatizimet që kanë ndodhur në vend. Ai sot gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për procesin e Privatizimit, tha se roli i sekretariatit brenda AKP-së është teknik dhe se gjitha vendimet merren nga bordi i drejtorëve. Ndërkohë, theksoi se nuk është në asnjë parti politike dhe se asnjëherë nuk ka pasur presion për ndonjë proces të privatizimit.

Përkundër pyetjeve të deputetëve, Limani për shumë prej çështjeve nuk kishte informacion, derisa tha se gjatë kohës kur ka ndodhur privatizimi i Fabrikës së Amortizatorëve nuk ka qenë duke ushtruar pozitën në AKP.

Sa i përket auditimeve të jashtme që janë bërë proceseve të privatizimit, sekretari i AKP-së tha se ato duhet t’i merrte për bazë menaxhmenti ose bordi i AKP-së.

“Detyrat që i kryen njësia e sekretarisë janë tekniko profesional përgatisim mbledhjet e bordit dhe gjatë mbledhjes së bordit bashkë me zyrtarë ligjor mbajmë procesverbalin. Unë mund të them se bordi dhe menaxhmenti i privatizimit i kanë të ndara përgjegjësitë e veta”, tha ai.

Anëtari i komisionit nga radhët e LVV-së, Hekuran Murati kërkoi të dijë nga Limani se a kanë qenë në dijeni se aksionarët që e kanë privatizuar Fabrikën e Amortizatorëve ka pasur procedurë hetimore për vepra penale ndaj tyre.

“Në lidhje me fabrikën e Amortizatorëve unë e shikova është vala e 45 a kur është privatizuar. Data është shtator të vitit 2010 kur është bërë lanësuar privatizimi dmth është në periudhën e AKP-së e jo AKM-së. Aso kohe kompania që kanë privatizuar, ose aksionaret kanë qenë në një procedurë hetimore në lidhje me një kontratë tjetër që ka të bëjë me shërbim të telefonisë ose dardafonit. A ka qenë në dijeni bordi për këtë pjesë, a është njoftuar nga menaxhmenti, apo përgjegjësi e kujt ka qenë me u nxjerr kjo informatë se disa prej aksionarët e kompanisë që kanë privatizu kanë qenë në hetime penale”, tha ai.

Por, sekretari në AKP tha se nuk e di atë pjesë për shkak se atë kohë ka qenë në studime në ShBA.

“Periudhën që po e përmendi ju unë nuk kam qenë këtu, kam qenë në studime në Amerikë. Diku të them prej qershorit deri në shtator 2011 është kjo periudhë, nuk ka njohuri për këto”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha u interesua për pjesën e orientimeve politike të sekretarit Limani.

“A je në ndonjë parti politike, kur je hy punë a ka pas ndikim politikë aty që me u vendos… gjatë punës a ke parë ndonjë shantazh që iu është bërë dikujt…zotëri Limani krejt dëshmitarët që po vijnë këto zakonisht po të mbushin mendjen me iu dhanë nga një dekoratë, krejt mirë po folin po nuk është bërë ky komision hetimor badihava”, tha ai.

Limani tha se nuk është në ndonjë parti politike dhe në atë pozitë nuk ka shkuar përmes partive politike. Sipas tij, asnjëherë nuk u përballur me ndonjë presion për procesin e privatizimit.

“Unë s’kam pasur asnjëherë ndonjë ndikim, së paku personalisht ndikim politikë prej dikujt ose s’ka ardh dikush me thënë më fal se e kemi këtë presion ose shantazh politikë. Edhe pse nuk mundem me dëshmu për të gjithë zyrtarët e AKP-së”, u shpreh ai.

Por, deputeti i AAK-së u shpreh insistues edhe tek procesi privatizimit të fabrikës së amortizatorëve, pasi konsideroi se i gjithë stafi i AKP-së ia kanë rregulluar dokumentacionin ofertuesve.

“Te amortizimi, a ka mundësi kur janë privatizu këto, krejt ai staf aty që keni punuar bashkë me ofertuesin me njërin për me i ndreq letrat, sepse aty sipas auditimit të jashtëm del që ndërkohë janë ndrequr, që mos me dyshu. Sikur me hy test na aty, mandej krejt AKP a AKM që ka qenë ia keni bërë letrat qysh duhet gjatë procesit duke i rregulluar. Krejt në funksion të një ofertuesi” , tha ai.

Por, në këtë pjesë u shpreh i rezervuar sekretari Limani.

“Kur janë privatizuar amortizorët mesa e di unë është spinof special është privatizuar nga AKM-ja. Unë nuk kam qenë aty, nuk e di, prandaj rezervona nga ajo përgjigje. Nuk du me besu atë siç e thatë ju, por duhet me i këqyrë procesverbalet dhe dokumentet tjera të shitjes”, u shpreh ai.

E anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Gazmend Bytyçi kërkoi të dijë se cila ka qenë baza ligjore e shitjeve të aseteve me negocim të drejtpërdrejt.

“Cila ka qenë baza ligjore e shitjeve të aseteve me negocimimin direkt. Në bazë të asaj çka kam parë në faqe e di që është miratuar një rregullore dhe një amendament në vitin 2020, nuk kam parë ndonjë dokument tjetër me të cilat janë realizuar ato shitje. Me listën që ne kemi marrë është vetëm viti 2020-2019 derisa dihet që ka pasur edhe shitje në vitet tjera. Çka ka ndodhur me këtë proces, a do të thotë se janë protokolluar vetëm gjatë këtyre viteve, apo ne si kemi informacionet e sakta”, tha ai.

Edhe për këtë çështje, sekretari Limani u refuzua të jetë konkret, pasi tha se duhet të shikohet prej fillim kur ka nisur shitja e parë me negocim të drejtpërdrejt.

“Rezervona të them se a ka pasur, apo jo shitje se duhet me shku kur ka filluar shitja e parë me negocim të drejtpërdrejt dhe ka faza të ndryshme”, tha ai.

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë vazhdoi me intervistimin e Avni Jashari, zëvendësdrejtor menaxhues në Agjencinë Kosovare për Privatizim./kp