Sekretari i VV: Thaçi nuk e ka përmendur afatin 48 orësh në takim

Sot u takuan presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i LVV, Albin Kurti

Pas takimit të tyre të shkurtër, presidenti i vendit deklaroi se i ka dhënë afat fituesit të zgjedhjeve, Albin Kurtit edhe 48 orë që të dërgojnë në presidencë mandatarin e tyre për formimin e Qeverisë së ardhshme.

Kjo gjë mohohet nga sekretari për marrëdhënie me jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti.

Ahmeti me anë të një postimi në Facebook ka deklaruar se në asnjë moment Presidenti nuk ka përmendur kufizim kohor për nominimin e kadidatit/es për Kryeministër, e aq më pak afatin prej 48 orëve, duke shtuar se ky kufizim kohor apo çfarëdo kufizimi i ngjashëm, nuk ka bazë kushtetuese.

“Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë sonë do të marrim vendim, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe mandej do t’ia dërgojmë zyrtarisht e me shkrim Presidentit propozimin tonë.”, ka përfunduar shkrimin e tij Ahmeti./21Media

Back to top button