Sektorit Privat mirëpret premtimet e Kurtit për rritjen e pagës minimale

SPSP kërkon që kjo pagë të realizohet sa më shpejt

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës(SPSP), ka mirëpritur deklaratën e kryeministrit, Albin Kurtit i cili thotë se nuk mund të ketë pagë në sektorin privat nën 350 euro.

“Zoti kryeministër kjo ka qenë kërkesë e Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës që nga qeverisjet e kaluara. Andaj kërkojmë që kjo pagë të realizohet sa më shpejt e cila ndikon në ndaljen e fuqisë punëtore për të mos ikur jashtë vendi”, thuhet në reagimin e SPSP-së.

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë punëtorisë së organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës ka thënë se Qeveria e tij do të punojë në rritjen e pagës minimale në sektorin privat.

“Është absurde që paga minimale në sektorin publik të jetë mbi 500 euro, ku në pesë vitet e fundit ajo është rritur për 100 euro. Kjo rritje nuk ka ndodhur as për 15 euro në sektorin privat. Shteti duhet të ndihmojë këtu sepse kjo nuk mund të jetë në rregull dhe nuk mund të ketë pagë nën 350 euro”, ka deklaruar Kurti.

Paga minimale në Kosovë që nga viti 2011 ka mbetur 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç./21Media

Back to top button