Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka pritur në takim ish- udhëheqësit ushtarakë dhe politikë bashkë me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), me të cilët ka diskutuar për situatën e fundit të krijuar pas konfirmimit të aktakuzave për ish- ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pas takimit, në një konferencë për media, ministri Selimi tha se beson në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës së UÇK-së.

“Kjo konferencë për shtyp është me shkas pasi që sot kam pritur ish- udhëheqësi e luftës së UÇPMB-së, komandantë, ushtarë dhe eprorë të kësaj ushtrie. Ne jemi mbledhur sot për të dërguar një mesazh që: thelbi i UÇPMB-së është lufta e UÇK-së dhe për këtë shkak jemi mbledhur këtu sepse ne besojmë në drejtësinë dhe besojmë në pastërtinë e luftës së UÇK-së”, deklaroi ministri Selimi.

Ministri Selimi tha se të gjithë ushtarët e UÇK-së që po ballafaqohen me drejtësi nuk janë vetëm, por e kanë edhe UÇPMB-në mbrapa në mbrojtjen e pastërtisë dhe vlerave.

Ndërsa ish- përfaqësuesi politikë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇPMB-së, Shaqir Shaqiri tha se lufta e UÇK-së dhe UÇPMB-së ka qenë një luftë e pastër e cila ka pasur qëllim, liri për popullin shqiptar.

Shaqiri ndër tjerash tha se janë në mbështetje të bashkëluftëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së të cilët po kalojnë në procese gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

“Edhe këto procese që tanimë janë ngritur gjëja që për të hulumtuar, dëshmuar apo për të parë nëse lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër, ne e kemi mbështetur, por si luftëtar të lirisë jemi të zhgënjyer sepse një gjykatë e cila ngitet mbi thashetheme nuk mund të jetë një gjykatë e drejtë dhe mund të jetë një gjykatë separatiste, që gjykon njëanshëm”, tha Shaqiri./21Media