Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka mbajtur një video-konferencë virtuale me Ministren e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Renata Deskoskan.

Ministri Selimi dhe ministrja Deskoska kanë diskutuar rreth reformave në fushën e drejtësisë, rritjes së bashkëpunimit bilateral në çështjet penale dhe civile, si dhe për bashkëpunimin në procesin e integrimit evropian.

“E ardhmja jonë është familja evropiane, dhe për rrugën integruese në Bashkimin Evropian, mësimi nga eksperiencat më të mira nga Maqedonia e Veriut për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme të drejtësisë, është me dobi për Kosovën”, ka thënë Selimi.

Ndër tjerash, ai ka shprehur gatishmërinë për të ndarë përvojat e Kosovës dhe për të përkrahur përpjekjet reciproke me Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Ndërsa, ministrja Deskoska ka uruar Ministrin Selimi për detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.