Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi ka reaguar pas deklaratave të kreut të ekzekutivit, Avdullah Hoti dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, në Kuvendin e Kosovës, meqë siç thanë ata festa e Fitër Bajramit dhe protesta e VV-së çuan në rritjen e numrit të rasteve me Covid-19.

Selimi kërkoi nga Hoti dhe Zemaj emrat e atyre që janë infektuar në protestën e VV-së.

“Ju sot jeni deklaruar Zemaj dhe po ashtu eprori i juaj Hoti. Ku jeni deklaruar se keni evidenca, madje keni thënë edhe emra dhe mbiemra për aktivistët. Nëse s’doni t’i thoni publikisht, ju lutemi të ma thoni privatisht vetëm një emër së paku që është infektuar si pasojë e asaj proteste. Po ashtu Hoti thotë: Se Fiter Bajrami edhe protesta veç e kanë rritur numrin të infektuarve në Kosovë, në cilat evidenca? Kush ta tha? Ku u mbështetët sesi pasojë e këtyre dyjave e thatë një gjë të tillë. Në anën tjetër a mundeni ju të përgjigjeni për atë çfarë jeni ju sot këtu, pra për veten tuaj. Nuk jeni thirrur sot këtu as për punën e Kurtit e as të Vitisë. Ju kemi thirrur të përgjigjeni për vete. Andaj, për atë që keni përgjegjësi përgjigjuni”, tha Selimi.

Kurse Zemaj iu përgjigj atij se kanë vlerësime ditore për situatën epidemiologjike.

“Ne kemi një vlerësim të situatës epidemiologjike për çdo ditë, nuk e bëjmë vetëm ne, e bëjnë edhe OBSH-ja dhe partnerët tjerë ndërkombëtar. Edhe për ngjarjet ditore, qoftë edhe për lëvizjet e qytetarëve, të grupeve, festive fetare e shtetërore. Ky është vlerësimi për ditët, numrat dhe rrjedhën e infeksionit qoftë nga tubimet dhe nga organizimet e tilla… Ju mund të bëni edhe opozitë edhe ekstreme, por ju kisha lutë që këto masa të respektohen, sepse nuk ju bënë nder as juve”, tha ai./21Media