Qeveria e Kosovës sot pritet ta shfuqizojë Task-forcën Anti-Korrupsion. Ky propozim është bërë i ditur në agjendën e Qeverisë, ku thuhet se do e shqyrtojë propozim-vendimin për shfuqizimin e kësaj Task-force në kuadër të Policisë së Kosovës. E për këtë qëndrimin e tij e ka paraqitur ministri i Drejtësisë, Selim Selimi i cili kërkoi kujdes me qëllim që mos të dëmtohen hetimet për rastet që ende janë në proces.

Selimi këto komente i bëri në eventin kur u prezantua raporti i EULEX-it “Monitorim Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë me gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit”.

I pari i drejtësisë në Kosovë tha se para se të shfuqizohet Task-forca Anti-Korrupsion duhet të analizohet edhe implikimet e rishikimit funksional në raport me këtë Task-forcë.

Kurse, drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova derisa shprehu përkrahjen e tij për këtë Task-forcë, tha se ky departament ka bërë kryer punë të jashtëzakonshme.

Të suksesshme këtë Task-forcë e ka konsideruar edhe misioni EULEX-it në Kosovë. Ku në raportin e publikuar për “Monitorim Sistematik dhe Tematik të Drejtësisë me gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit”, thuhet se suksesi i kësaj Task-force nga pozita e saj unike në hierarkinë e Policisë së Kosovës dhe vijave të saj të veçanta të raportimit garanton pavarësinë e saj.

Të gjeturat e këtij raporti për Task-forcën thonë se është vërejtur një tendencë që disa raste të mbahen në fazën fillestare, ndërsa hapja e hetimeve zyrtare votohet nga PSRK-ja deri në momentin e fundit

“EULEX-i ka vënë re se Task-forca ka zbuluar dhe ndërmarrë hetime të profilit të lartë që përfshijnë persona të njohur dhe të ekspozuar politikisht, si dhe raste të ndërlikuara financiare, siç janë ato që ndërlidhen me privatizime apo tenderë publikë, që i kanë shkaktuar buxhetit publik dëme të vlerësuara në miliona euro buxhetit publikë….Disa hetime kanë ngecur për shkak të bashkëpunimit të mangët mes policisë dhe prokurorisë. Është vërejtur një tendencë që disa raste të mbahen në fazën fillestare, ndërsa hapja e hetimeve zyrtare votohet nga PSRK-ja deri në momentin e fundit, ndoshta me qëllim të zgjatjes së procedurës në mënyrë të hetimet të zgjaten përtej afatit kohor ligjor prej 2 viteve apo për zbutjen e presioneve të tjera”, thuhet në gjetjet e raportit.

Për shuarjen e Task-forcën Anti-Korrupsion zërin e kanë ngritur edhe shoqëria civile. Instituti I Kosovës për Drejtësi ka reaguar duke e quajtur këtë vendim si hakmarrje e politikës ndaj zyrtarëve të Task-forcës.