Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi e quajti lajm të mirë reflektimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cila sot përmes një kumtese tha se e ka marrë me shqetësimin reagimin prej Ambasadës amerikane që u tërhoq nga procesi i zgjedhjes së kryeprokurorëve.

“Lajm i mirë reflektimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, me të cilët synojmë që së bashku ta përmbyllim procesin e Rishikimit Funksional”, ka shkruar Selimi në llogarinë e tij “Facebook”.

Selimi tutje ka thënë se vetëm duke bashkuar fuqitë mund të ndryshohet ligji, i cili sipas tij do të rregullojë përzgjedhjen e prokurorëve në mënyrë transparente, objektive dhe me meritokraci.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të përmirësohemi dhe nuk duhet që të humbim besimin në sistetmin tonë prokurorial. Organi i akuzës mbetet gardian i shtetit të së drejtës. Bashkë do të forcohemi për prokurorë të pavarur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë ministry i Drejtësisë./21Media