Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi me Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave, Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Medica Kosova dhe Medica Gjakova, për vendosjen e “Këndit të Kurajos”, në hapësirën e ministrisë.

Njëherësh ky memorandum është edhe zbatim i Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, “Këndi i Kurajos”, ku do të ketë të ekspozuar artizanale të punuara nga viktima e dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Pas nënshkrimit të Memorandumit, ministri Selimi tha se gjithë shoqëria jonë ka nevojë për kurajo të këtyre grave që janë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Këndi i kurajos” është kurajë e tyre që reflekton tek ne. Ne gjithë e kemi obligim që t’i përkrahim shoqërinë civile, për shkak se në momentet më të vështira të këtyre grave kanë qenë mu këto organizata që u kanë ofruar platformë dhe ndihmë, që këto gra të mos ndihen vetëm, që këto gra së bashku me ne të luftojnë kundër stigmës shoqërore, dhe që të ballafaqohen me gjitha ato trauma që i kanë pësuar gjatë luftës por edhe pas luftës”, theksoi ministri Selimi.

Ministri Selimi tha se është i lumtur që në objektin e Ministrisë së Drejtësisë po vendosen punimet e grave heroina.

“Ne jemi të lumtur që sadopak si Ministri e Drejtësisë do ta ofrojmë mundësinë që punëtorët e kësaj ndërtese, qytetarë dhe delegacione të ndryshme që vijnë në Ministrinë e Drejtësisë, ta shohin dhe të inspirohen nga kurajo e këtyre grave dhe të jenë pjesë absorbuese e kësaj kurajo dhe të marrin atë kurajo edhe ne”, tha ministri Selimi.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se vendosja e këtij këndi në Ministrinë e Drejtësisë ka simbolikë për shumicën e të mbijetuarave të dhunës seksuale, për faktin që edhe 20 vite pas lufte, shumë këto gra, burra, vajza mëtojnë për drejtësi.

“Përmes këtyre punimeve ne duam ta avancojmë edhe më tutje zërin e të mbijetuarave të dhunës seksuale, një zë i cili për vite të caktuara ka mbetur i heshtur. Këto punime përtej që paraqesin lot, rënkime, paraqesin edhe forcën që kanë arritur ato të mbijetojnë 20 vite pas luftës“, tha Rushiti.

E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, e cila tha se puna, vullneti dhe angazhimi i përbashkët, kanë bërë që të jetësohet Rezoluta e Kuvendit të Kosovës, e cila parasheh vendosjen e “Këndit të kurajos” në gjitha institucionet e vendit./21Media