Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka reaguar pas përplasjeve të kryetarit të partisë së tij, Ramush Haradinaj me kryeministrin Avdullah Hoti mbi shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion.

Ai në një postim në Twitteri shkruan se çkapja duhet të ndodhë për sundimin e ligjit.

“Çkapja për kapje apo çkapja për sundim të ligjit? Deri në pafundësi për të dytën!”, ka shkruar Selimi.

Ndryshe deri te shuarja e Task-Forcëps antikorrupsion erdhi pasi Qeveria e Kosovës tha se ishte jo ligjor funksionimi i saj brenda policisë.

Vendimi për shuarjen e Task-Forcës ka marrë kritika të ashpra nga kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili tha se një gjë e tillë shkakton pasiguri juridike. Por, kryeministri Hoti kërkoi nga Haradinaj, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeveritar, që të mos përzihet në drejtësi.

Task-Forca antikorrupsion që funksiononte në kuadër të Policisë së Kosovës, ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in dhe kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë.