Ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla sot bëri të ditur se pret nga Brukseli dhe Washingtoni që si ndërmjetës të dialogut, të dënojnë shtetin serb për shkak të futjes përmes rrugëve ilegale të produkteve farmaceutike të pa verifikuara.

Shefja e diplomacisë kosovare shkroi në facebook se Serbia dhe zyrtarët të lartë të saj me veprimet e muajve të fundit dhe me shkeljet e vazhdueshme ka rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës dhe “rrjedhimisht ka nëpërkëmbur gjithë procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si në Uashington, ashtu edhe në Bruksel.”

“Ndërhyrja klandestine e Serbisë në Republikën e Kosovës, duke futur përmes rrugëve ilegale një numër të caktuar të produkteve farmaceutike të pa verifikuara, si dhe administrimi i tyre përmes strukturave paralele në veriun e vendit, përbën shkelje flagrante të marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike, të arritur në vitin 2015 në procesin e Dialogut Teknik. Bashkëpunimi dhe koordinimi urgjent i autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës është imperativ për të qenë në krye të detyrës dhe në vigjilencë maksimale në mbrojtjen e sovranitetit dhe kufijve të vendit tonë.”, shtoi Haradinaj-Stublla.