Serbia me taktika të vjetra, shfaqen mbishkrime provokuese në një kishë në Pejë

Në përvjetorin e masakrave në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan agjentë serbë kanë shkruar disa parulla provokuese në një kishë në Nakëll të Pejës, për të cilat hulumtuesi i lartë në Institutin Octopus, Gurakuç Kuçi ka thënë se janë pjesë e agjendës serbe që të krijojnë rrethana për incidente dhe luftë.

Në një shkrim në Facebook, Kuçi ka kujtuar edhe disa raste kur Serbia kishte inskenuar raste në Kosovë duke dashur që fajin t’ua mveshte shqiptarëve.

Mes tjerash, ai ka bërë apel për vigjilencë, duke theksuar se shqiptarët dhe komunitetet jo-serbe duhet të jenë të vëmendshme ndaj këtyre ngjarjeve dhe asnjëherë të mos përkrahin propaganda të tilla, pasi siç ka thënë ai, vetë këto janë të montuara nga agjenturat serbe dhe njerëzit e tyre në Kosovë.

“Sot përkujtohen masakrat e Qyshkut, Pavlanit, Zahaqit dhe Llabjanit, fshatra këto në komunën e Pejës. Për të lënë këto masakra në hije, Serbia nëpërmjet agjentëve të saj paska organizuar në Nakëll të Pejës shkrimin e disa parullave siç shihen në fotot poshtë, në një kishë jashtë përdorimit që shumë vite dhe e harruar edhe nga vet serbët.

Këto parulla duken një montazhë sikur rasti Panda në Pejë, ku doli tani vonë dhe vetë Vuçiqi e pranoi se e kishte montuar atë rast shërbimi sekret serb.

Ky rast është i njëjtë sikur edhe ai i datës 13 gusht 2003, ku në lumin (Bistricën) që ndan Zahaqin dhe Gorazhdecin (fshat i banuar me serbë), kishin mbetur të vdekur dy fëmijë serbë të cilët kishin përdorur një gjenerator për të zënë peshq aty. Pastaj për tu kamufluar ngjarja të njëjtit ishin gjuajtur më armë për të krijuar një vendngjarje krimi sikur e kanë bërë shqiptarët. Por, KFOR dhe UNMIK asnjëherë nuk kishin gjetur dëshmi se aty kishte ndonjë krim ndër-etnik, por që ishte një incident dhe vendngjarje e montuar. Fatkeqësisht rasti u mbyll me kaq pa e treguar të vërtetën e plotë pasi nuk i konvenonte as serbëve, as UNMIK-ut e as KFOR-it.

Inskenime të tilla të cilat bëjnë pjesë në luftën hibride, janë pjesë e agjendës serbe që të krijojnë rrethana për incidente dhe luftë.

Shqiptarët dhe komunitetet jo-serbe duhet të jenë të vëmendshme ndaj këtyre ngjarjeve dhe asnjëherë të mos përkrahin propaganda të tilla, pasi vetë këto janë të montuara nga agjenturat serbe dhe njerëzit e tyre në Kosovë”, ka shkruar ai.

Back to top button