Serbia refuzon kërkesën për vizitë 4 ministrave kosovarë

Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, të Arsimit Arbërie Nagavci, atij të financave Hekuran Muratit dhe ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut iu është refuzuar nga Serbia kërkesa për vizitën e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.
Lajmin e ka konfirmuar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu përmes një postimi në “Facebook” duke thënë se ky refuzim u bë pa asnjë arsye.
“Nga Serbia, na refuzohet pa arsye kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë në momentin para nisjes. Duke filluar nga sot, bashkë me ministrat, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, planifikonim të fillonim vizitën dy ditore, në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Vizita jonë, nga autoritetet në Beograd, u refuzua, pa asnjë arsyetim pak para nisjes së delegacionit tone”, ka shkruar Aliu.
Aliu tutje rikujtuar se në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, kanë bërë kërkesë të rregullt më 24 Nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. “Refuzimi na është bërë sot në oren 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”, ka thënë ai.
Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike.
Ministri ka thënë se refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc./21Media

Back to top button