Serbia s’e lejon Jahjagën të flasë në Beograd për viktimat e dhunës seksuale

Atifete Jahjaga nuk do të mund të shkel në Beograd, për të promovuar librin “Unë dua të dëgjohem” që është libër kujtimi me rrëfimet e grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas organizatorëve të festivalit “Mirëdita, Dobar dan” ky është vendimi më i fundit i shtetit të Serbisë, mëson Koha Ditore.

Kujtojmë se sot është nata e dytë e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” që po mbahet në Beograd, e që shpalos kulturën e Kosovës, ndërsa ajo sërish është shoqëruar me protesta.

Përderisa paraditen e së enjtes, artistë nga Kosova e Serbia kanë diskutuar për bashkëpunimet kulturore, pasdite, pjesëtarë të një tjetër organizate djeshtiste serbe, para Qendrës Rinore ku po shfaqet filmi “Zonjusha” i Genc Berishës, protestojnë kundër festivalit. Janë veshur si ushtarë të UÇK-së me maska e në duar mbajnë pankarte me mbishkrimet “shesim organe të përdorura”, “armë me shumicë e pakicë”, “drogë me shumicë”.

Kësaj radhe është organizata “Alternetiva” që po proteston edhe duke brohoritur me vargjet e këngës për “serbët që s’e lëshojnë Kosovën”.

Në natën e parë të “Mirëdita, dobar dan!” ishte organizata “Zavetnici” ajo që protestoi kundër festivalit e me thirrje antishqiptare përderisa disa prej pjesëtarëve të saj arritën të futën edhe në objektin ku u bë ceremonia e hapjes.

Back to top button