Sfida për martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë

“… familja është një faktor shumë i madh që ndikon negativisht te personat LGBTI”

Në vitin që e lamë pas në Kosovë janë regjistruar gjithsej 17 mijë e 550 martesa, 2 mijë e 753 janë martesa me etni të tjera. Por ende nuk ka ndonjë martesë nga komuniteti LGBTI (lesbike, homoseksual, biseksual, transeksual dhe interseksual) në Kosovë.

Në një përgjigje elektronike për portalin rtv21.tv, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka pohuar se në sistemin e Gjendjes Civile nuk mund të regjistrohen martesa të tilla. “Nuk kem statistikë të tillë se në sistemin e GJC nuk mund të regjistrojnë martesa të tilla”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës me anë të nenit 37 thotë se çdokush gëzon të drejtën të martohet. “Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin. 2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve. 3. Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj”,thuhet në Kushtetutë. Megjithatë kjo fjali nuk përmend orientimin gjinor apo seksual dhe si e tillë mund të interpretohet si më shumë përfshirëse. Por edhe ligji për familjen nuk e saktëson një gjë të tillë.

Lendi Mustafa nga komuniteti LGBTI, ka folur për portalin rtv21.tv duke thënë se pjesëtarët e këtij komuniteti në Kosovë, kalojnë nëpër shumë sfida por, siç thotë ai jo të gjithë kalojnë nëpër probleme të njëjta.

“Duke u bazu në situatën e tanishme familja është një faktor shumë i madh që ndikon negativisht te personat LGBTI duke fillu prej faktit që fëmiu i tyre duhet të fshihet tërë kohën, pastaj edhe duke shkaktu presion për atë që janë, e shumë shpesh edhe detyrohen të “ndryshojnë” e t’i përcjellin traditat pa dëshiren e tyre. Gjë që përcillet edhe jashta familjes, edhe në shoqëri ekziston presioni i madh për tu përshtat në “norma shoqërore”, u shpreh Mustafa për rtv21.tv.

Sipas Lendit martesa është dhe duhet të jetë e drejtë e çdo individi pasi që siç thotë ai është një vendim shumë personal mes dy personave. “Ligji familjes ku në mënyrë decidive shprehet që martesa lejohet vetem mes burrit dhe gruas duhet të ndryshohet pasi që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar ai për portalin rtv21.tv duke thënë se nuk kanë parë hapa konkret në këtë drejtim.

Megjithatë, ky komunitet shpreson që në krye të institucioneve të vijë ndonjë person që është pjesë e LGBTI-së në mënyrë që të kërkohet e drejta për martesë.

Në anën tjetër aktivistja për Drejtat e Njeriut, Luljeta Demolli u shpreh për portalin rtv21.tv se duhet të njihet e drejta e martesës së të të njëtës gjini sepse këtë e njeh Kushtetuta e Kosovës.

Luljeta Demolli kërkon nga të gjithë angazhim duke shtuar se ligji për familjen duhet të ndryshohet.

“Ky nen i kushtetutës duhet të përfshihet në ligjin e familjes. Ligji i familjes nuk reflekton aq sa duhet barazinë gjinore që Kushtetuta e Kosovës e reflekton prandaj duhet të ndryshohet”, ka shtuar Demolli.

Për dy vjet radhë në Prishtinë është mbajtur “Parada e Krenarisë” ku të pranishëm në këtë ngjarje kanë qenë mbështetësit e komunitetit LGBTI, aktivistë të shoqërisë civile si dhe politikanë të Kosovës./21Media

Back to top button