​QKSS: Presioni i Serbisë ndaj serbëve në Kosovë solli regres në përfaqësimin e tyre në FSK

​QKSS: Presioni i Serbisë ndaj serbëve në Kosovë solli regres në përfaqësimin e tyre në FSK

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar raportin hulumtues “Sfidat dhe praktikat e gjithëpërfshirjes në sektorin e sigurisë në Kosovë”, ku thuhet se komunitetet jo-shumicë përbëjnë rreth 16 përqind të numrit të përgjithshëm të pjesëtarëve të PK-së, ndërsa FSK numëron deri në 8 përqind anëtarë nga komunitetet jo-shumicë.

Sipas QKSS-së, ky hulumtim ofron një përmbledhje të gjendjes aktuale të përfshirjes së komuniteteve jo-shumicë në Policinë e Kosovës (PK) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), me theks të veçantë të komunitetit serb.

Sot komunitetet jo-shumicë përbëjnë rreth 16 përqind të numrit të përgjithshëm të pjesëtarëve të PK-së, ndërsa FSK numëron deri në 8 përqind anëtarë nga komunitetet jo-shumicë. Në anën tjetër, gratë në PK përbëjnë 15 përqind të numrit të përgjithshëm, ndërsa në FSK rreth 8 përqind e anëtarëve të uniformuar janë gra. Ndërsa niveli i përfaqësimit të komuniteteve jo-shumicë në PK dhe FSK është i kënaqshëm dhe reflekton përbërjen etnike të Kosovës, përfaqësimi në grada më të larta, pozita udhëheqëse dhe përfaqësimi i grave nga komunitetet jo-shumicë lë për të dëshiruar”, thuhet në komunikatë.

Pavarësisht arritjeve në përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë në PK dhe FSK, qëndrueshmëria e përfshirjes së komuniteteve jo-shumicë, përkatësisht komunitetit serb, sfidohet vazhdimisht nga konotacioni politik që i është dhënë procesit të gjithëpërfshirjes, përkatësisht në FSK dhe duke pasur parasysh këtë, sipasQKSS-së raporti konkludon se problemet kryesore në këtë aspekt janë të lidhura me zhvillime jashtë kompetencave të institucioneve përkatëse, andaj, adresimi i këtyre sfidave kërkon një bashkëpunim të ngushtë ndër-institucional.

Njëra ndër sfidat kryesore në përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë është presioni i Serbisë ndaj komunitetit serb në Kosovë në dy vitet e fundit. Ky presion ka dhënë rezultate negative sidomos në FSK, ku një numër i madh i pjesëtarëve serbë të FSK-së kanë dhënë dorëheqje nga ky institucion, duke rezultuar në regres të madh në përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë. Raporti gjithashtu thekson se drejtoria rajonale e policisë në Mitrovicë-Veri është sfiduar kur bëhet fjalë për integritetin e policëve të saj dhe qeverisjen e mirë në përgjithësi. Raporti analizon disa raste që dëshmojnë se ekzistojnë dyshime për akuza serioze se si zyrtarët e policisë në veriun e Kosovës dyshohet se kanë qenë të përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe sjellje të pahijshme”, thuhet në komunikatën e QKSS-së.

Ky hulumtim pasqyron hulumtimet e gjera të QKSS-së në vi tet e fundit në komunat me shumicë serbe, si dhe punën në terren të ekipit të QKSS-së në komunat ku banojnë komunitetet tjera jo-shumicë.

Publikimi i këtij raporti, njëherish shënon mbylljen e projektit “Zhvillimi i gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë në sektorin e sigurisë në Kosovë”. Ky projekt është zbatuar nga tetori i vitit 2019 dhe është përkrahur nga Fondi i Kanadasë për Iniciativa Lokale (CFLI).