Shabani: Menaxhimi i rastit të 5-vjeçarit, kompetencë e komunës, në pritje raportet zyrtare

Drejtori i Departamentit për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, Blerim Shabani, ka deklaruar se institucionet kanë ndërmarrë veprime konkrete lidhur me rastin e dyshuar të keqtrajtimit të një fëmije 5-vjeçari në Lipjan.
Në një konferencë për media lidhur me këtë çështje, Shabani ka theksuar se përgjegjësia për menaxhimin e rasteve të tilla bie ekskluzivisht mbi komunat, përkatësisht Qendrat për Punë Sociale, të cilat funksionojnë në secilën komunë të Kosovës. Por, ka shtuar se fëmijët janë vendosur në një ambient të sigurt dhe janë nën përkujdesje institucionale, raporton KosovaPress.
Siç tha ai, ministria ka kërkuar një raport kronologjik të detajuar nga Qendra për Punë Sociale për mënyrën e trajtimit dhe menaxhimit të rastit, si dhe ka autorizuar njësinë inspektuese për të kryer vlerësimet përkatëse.
“Ne kemi marrë disa hapa, siç është mbikëqyrja profesionale, kemi kërkuar një raport kronologjik të hollësishëm lidhur me trajtimin, menaxhimin, e rastit të fëmijëve nga Qendra për Punë Sociale dhe normalisht në përputhje me këto kompetenca dhe përgjithësi kemi autorizuar dhe njësinë inspektuese e cila është në kuadër të ministrisë në të cilën ne bëjmë pjesë. Por, ajo që është e rëndësishme të sqarojmë, është që çështja e trajtimit dhe menaxhimit të rastit, është një çështje kompetencës ekskluzive e komunave, për sa i përket ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare, më saktë e Qendrës për Punë Sociale, e cila është në kuadër të kompetencave të komunës, apo më saktë në kuadër të Republikës së Kosovës kemi 38 qendra për punë sociale, të cilat, në secilën komunë ka nga një qendër për punë sociale e cila menaxhohet në mënyrë të drejtpërdrejt nga komunat”, ka deklaruar Shabani.
Ai tha se Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare ka vepruar në përputhje me kompetencat ligjore lidhur me rastin e dyshuar të keqtrajtimit të fëmijëve në Lipjan.
Ai shtoi se nuk do të japë detaje të pa konfirmuara deri në përfundimin e raporteve zyrtare.
“Në momentin që si ministri jemi vënë në dijeni në përputhje me kompetencat, rolin, mandatin dhe autorizimet që na japin legjislacioni primar dhe sekondar, ne kemi ofruar pëlqime për vendosjen e fëmijëve në strehim familjar në familjet që janë të vlerësuara dhe të aprovuara që ofrojnë shërbime për fëmijët pa kujdes prindëror dhe autorizimin për njësinë inspektuese e cila në bazë të autorizimeve që jep ligji i shërbimeve sociale dhe familjare ka filluar procesin e vlerësimit të rrethanave mbi përmbushjen e detyrimeve për sa i përket çështjeve të menaxhimit të rastit në fjalë. Nuk do të doja që të lëshohem në informacione që janë të tipit të hamendësimeve, sepse kjo do të krijonte dilema edhe për opinionin publik, mirëpo po presim edhe raportin kronologjik dhe normalisht do të presim edhe raportin preliminar nga inspektimi lidhur me çështjet e trajtimit të rastit të fëmijëve”, ka thënë ai.
Duke folur për gjendjen aktuale, ai theksoi se fëmijët janë jashtë rrezikut dhe po marrin përkujdesje të nevojshme.
“Ajo që mund të them në këtë fazë është se fëmijët janë vendosur në një vend të sigurtë dhe janë duke marrë përkujdesin institucional në përputhje me përgjegjësisë e të gjitha mekanizmave që kanë përgjegjësi ën kryerjen e detyrave dhe obligimeve zyrtare…Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare ka përgjegjësi në bazë të mandatit të hartojë legjislacion primar, sekondar, programe, standarde, politika, të zhvillojë mbikëqyrjen, por nuk është përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijë dhe të rriturit që kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare. Kjo është përgjegjësi direkte e Qendrave për Punë Sociale, gjegjësisht e komunave”, ka shtuar Shabani.