Matoshi: Nuk kemi kushte për LDK-në

Matoshi: Nuk kemi kushte për LDK-në

Shef i Grupit Parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka treguar se janë afër arritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës me LDK-në, AAK-në, AKR-së dhe partive minoritare.

Ai beson se deri të hënën do të arrihet marrëveshja.

Ndërsa, zyrtarë të AKR-së shprehen se ende nuk janë takuar me LDK-në për të biseduar rreth ofertës për bashkëqeverisje.

Shala po ashtu ka thënë se nuk kanë kushte si subjekt që të futen në këtë koalicion, por shton se janë pajtuar me LDK-në që t’kenë dy ministri në qeverinë Hoti, që pritet të votohet në ditët në vijim në Kuvendin e Kosovës pasi të mandatohet Hoti për kryeministër nga presidenti Hashim Thaçi.

 

Ne nuk kemi parashtruar kushte për koalicionin qeverisës, ne jemi të gatshëm edhe votat më ia dhënë, vetëm vendi ta ketë një qeveri. Nuk kemi kushte, por në dikasteret që do t’i udhëheqim ne, do t’i fusim pikat programore të partisë tonë”, ka thënë Shala.

Anëtari i Aleancës Kosova e Re, Fatmir Matoshi deklaroi se është një gatishmëri e LDK-së që AKR-ja me qenë pjesë e qeverisë, por ende nuk ka ndonjë ofertë për të biseduar sikur që kanë diskutuar me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate.

Matoshi theksoi subjekti i tyre nuk ka kushte specifike, përveç që të ndërtohet një qeveri me zyrtarë që nuk janë të akuzuar.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së Muharrem Nitaj, ka thënë shkurt se nuk e dinë nëse do të finalizohet marrëveshja javën e ardhshme me LDK-në për bashkëqeverisje, përderisa tha se janë duke u zhvilluar negociatat.

KP ka provuar të kontaktoi edhe me zyrtarë të LDK-së, por nuk janë përgjigjur rreth formimit të qeverisë së re pas rrëzimit të Qeverisë Kurti me një mocion mosbesimi më 25 mars.

Sot gjatë ditës LDK-ja ka publikuar rezultatet e votimin në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, për nominimin e Avdullah Hotit për të qenë kryeministër.

Në bazë të rezultateve të votave nga gjithsej 124 anëtar aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 117 anëtarë të KP, prej tyre 115 janë shprehur për (pro), ndërsa 2 janë shprehur kundër.