“Shamikuqet” më 20-22 qershor organizojnë edhe festivalin e parë të valleve për fëmijë në Kosovë

“Shamikuqet” më 20-22 qershor organizojnë edhe festivalin e parë të valleve për fëmijë në Kosovë

Grupi i njohur i valltareve dhe defatoreve nga Ferizaji, tashmë është shndërruar në ansambël vallesh e këngësh. Përurimi i këtij ansambli është bërë me 2 mars.

Laura Sopa- drejtoreshë dhe njëherit koreografe e këtij ansambli, ka treguar për portalin rtv21.tv se formimi i këtij grupi ka qenë një ëndërr e kamotshme. Kjo ëndërr e Laurës tani është bërë realitet e që sipas saj, ka filluar një histori e re në botën e promovimit të kulturës.

Sopa ka treguar se pasioni për vallen e ka kultivuar qysh nga koha kur ajo ishte në moshën gjashtëvjeçare. Këtë pasion e vazhdoi me shumë vullnet dhe dashuri më të cilin edhe formojë këtë grup kulturor, të cilin e menaxhon vetë ajo.

Çka e dallon këtë ansmabel nga shoqëritë tjera kulturore, është se ky ansambel do të funksionojë vetëm me vajza dhe ato do të promovojnë në veçanti qytetin e vet  Ferizajin dhe Kosovën në përgjithsi në mënyrën më të mirë në aspektin kulturor.

Në një intervistë për portalin rtv21.tv drejtoresha e kësaj shoqërie ka sqaruar se interesimi i vajzave për tu bërë pjesë e këtij grupi është shumë i madh.

“I kemi klasifikuar grupmoshat ku kemi vajza që vijojnë ushtrimet në grupin në moshat 7 vjeçe, por sipas kërkesave që janë bërë do të hapet edhe konkursi për të vegjlit. Prej moshës 6-vjeçare deri në moshën 14-vjeçare është një grupmoshë që vijon ushtrimet dhe janë pjesë e ansamblit. Prej moshës 16-vjeçare e tutje janë mosha më të mëdha që vijon ushtrimet te grupi tjetër, i cili po ashtu është pjesë e ansamblit, por gjithsej ka 35 valltare”, ka theksuar Sopa.


Ansmabel i ri , “Shamikuqet” do të marrë pjesë në festivalet me karakter garues si “Flakadani i Karadakut”, i cili do të mbahet në Viti dhe festivali “Shkupi Folk Fest”.

Drejtoresha e kësaj shoqërie Laura Sopa për portalin rtv21.tv ka treguar se “Shamikuqet” me 20-22 qershor organizojnë edhe festivalin e parë të valleve për fëmijë në Kosovë.

Defatoret dhe valltaret e Ferizajit, të njohura u bënë para katër vjetësh me grupin e tyre të quajtur “Vajzat nga Ferizaji”. /21Media